Politike

Ngacmimet seksuale në shkolla, PD: Të shpëtojmë arsimin! Duhet riformatim

Partia Demokratike thotë se rastet e shtuara të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nëpër institucionet arsimore nga vetë punonjësit e këtyre institucioneve nuk janë rastësisë, por tregues i degradimit të këtij sektori.

“Ato janë dëshmi e devijimit dhe rrënimit të një sistemi të tërë tashmë të kalbur. Ky sistem duhet riformatuar. Edukimi brenda tij ka humbur çdo vlerë e qëllimësi dhe shkolla është tërësisht e shkëputur nga funksioni social edukativ dhe me një funksion mësimdhënës mjeran”, deklaroi deputeti i PD, Luçiano Boçi.

Boçi thotë se duhet një legjislacion i ri që përcakton saktë statusin e shkollës, rolin e funksionin e saj në komunitet, përgjegjësitë e detyrat.

“Duhet një ripozicionim i ri i figurës së mësuesit, detyrës e vlerësimit të tij si mësimdhënës dhe edukator. Duhet një sistem i ri karriere e vlerësimi për çdo drejtues dhe mësues. Duhet një sistem i ri inspektimi dhe kontrolli të cilësisë së mësimdhënies dhe edukimit. Duhet një rol i ri efikas dhe vendimarrës i prindërve dhe komunitetit. Mbushja e shkollës me patronazhistë e komandime politike, lënia e saj në dorë të pasionantëve politikë pa vlera njerëzore dhe pedagogjike, duhet të marrë fund. Arsimi duhet shpëtuar!”, thotë Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë