Austria ka vendosur të dërgojë njerëzit e pavaksinuar në izolim. Nga e hëna e 8 nëntorit, ata që nuk janë të imunizuar, nuk do të kenë më mundësi të aksesojnë restorantet, jetën e natës, hotelet, aktivitetet sportive, kulturore dhe do të përjashtohen nga nismat për kohën e lirë.
Në katër javët e para, doza e parë e kombinuar me një tampon PCR do të mjaftojë. Kancelari Alexander Schallenberg, e justifikoi masën me rritjen e mprehtë të rasteve me Covid në Austri (9,388 vetëm një ditë më parë).
“Kur hipim në makinë vendosim rripin e sigurimit, vaksina Covid është rripi ynë”, tha Schallenberg.
Të pavaksinuarit janë gjithashtu të përjashtuar nga pistat e skive dhe nuk do të mund të hyjnë më në ashensorët e skive, madje edhe si vizitorë, spitale dhe shtëpi të të moshuarve. Përveç kësaj, maska Ffp2 bëhet e detyrueshme në dyqane, muze dhe biblioteka.
Në Austri, fushata e vaksinimit ka qenë e ngadaltë prej disa kohësh, me vetëm 63.1% të imunizuar. Kancelari Schallenberg, citoi Papa Françeskun që e quajti vaksinimin një akt dashurie.
Doza e tretë rekomandohet pas gjashtë muajsh. Certifikata e gjelbër do të jetë e vlefshme për nëntë muaj, në vend të dymbëdhjetë pas dozës së fundit. Pushtetarët kanë paralajmëruar kundër atyre që e “polarizojnë” çështjen në politikë.
“Është koha për të vepruar së bashku, domethënë për t’u vaksinuar me shpejtësi të plotë,” tha guvernatori I Tirolit, Guenther Platter.
Ministri i Shëndetësisë Wolfgang Mueckstein u bëri thirrje austriakëve që të marrin edhe vaksinën e gripit. “Ne po përballemi me një valë dhe duhet të jemi gati”, tha ai. Së fundi, ministri kritikoi ashpër “politikanët që përhapin lajme të rreme”.
Ndërkohë që Belgjika vazhdon të shënojë një rekord të ri pozitivësh (mbi 10 mijë në 24 orët e fundit), duke u kthyer kështu një vit pas në vjeshtën e vitit 2020, kur nuk kishte filluar ende fushata e vaksinimit, një spital në Gent, në zonën flamane, mori një vendim drastik: “Mjaft i është dhënë përparësi të pavaksinuarve në terapi intensive”. Arsyeja? “Ka shumë pacientë, madje edhe në gjendje të rëndë, me patologji të tjera, të cilëve iu shtyhen gjithnjë e më shumë trajtimet mjekësore”, shpjegoi drejtori Frank Vermassen për gazetën flamane “Vrt Nws”.
Megjithatë, Vermassen theksoi se spitali që drejton do të vazhdojë të trajtojë të gjithë pacientët në mënyrë të barabartë dhe se pacientët me Covid që nuk janë vaksinuar më herët, gjithashtu kanë të drejtë për trajtim, por ata nuk do të kenë më prioritet mbi shtretërit, “sepse këta shtretër u hiqen pacientëve të tjerë me sëmundje të ndryshme të mëparshme që kanë të drejtë të asistohen”.
Kurat për sëmundjet e zakonshme, në fakt, gjatë pandemisë u shtynë me muaj të tërë, duke i zgjatur tej mase listat e pritjes.
“Rritja e rasteve përkon edhe me një moment të mungesës së personelit për të kryer të gjitha shërbimet e kërkuara, – shtoi ai, — dhe për këtë arsye nuk mund t’u japim më regjim preferencial pacientëve me Covid. Ata që mbërrijnë në terapi intensive, nuk janë të vaksinuar”, – përfundon Vermassen.
Në dy javët e fundit, Belgjika ka regjistruar një mesatare ditore prej mbi 6,700 raste të reja të pozitivitetit të koronavirusit, një rritje prej 36% krahasuar me javën e kaluar dhe një nivel i paparë që nga tetori 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje