Politike

Shqipëria një nga ‘punëdhënëset’ më të mëdha të Komsionit të Venecias

Së fundmi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla njoftoi se në mungesë të dakordësisë me Partinë Demokratike, Kuvendi do t’i drejtohet Komisionit të Venecias me disa pyetje në lidhje me propozimin për zgjatjen e afateve të komisioneve të vettingut në drejtësi.

Një prej pyetjeve do të jetë nëse duhet zgjatur apo jo mandati i këtyre komisioneve. Çështja e ndërlikuar kaq shumë nga politika shqiptare në thelb duket më e thjeshtë. Ajo që kërkohet është ndryshimi i Kushtetutës dhe zgjatja e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që të përmbyllë procesin e vettingut.

Edhe nëse kjo nuk ndodh, Kushtetuta ka parashikuar që procesi i vettingut i kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët. Ndërkombëtarët në këtë mes, sipas socialistëve, kanë propozuar zgjatjen e mandatit të komisioneve të përkohshme me arsyetimin e ruajtjes së të njëjti standard në këtë proces. Por, për PD ajo që po kërkohet të zgjatet janë vendet e punës së 14 personave, duke nënkuptuar këtu të emëruarit në KPK dhe KPA.

Në pamundësi për të gjetur dakordësinë, Shqipëria do t’i drejtohet edhe njëherë tjetër Komisionit të Venecias, pa mbushur ende muajin që ky Komision solli përgjigjet për disa pyetje të ngritura nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019.

Ndër vite, Shqipëria i është drejtuar disa herë Venecias, që nga projektkushtetuta e 1994-s, deri te ligjet për reformat zgjedhore, ato të pronësisë e deri te dënimi me vdekje. Statistikisht, Shqipëria bën pjesë te vendet me të cilat Venecia ka pasur më shumë punë.

Mes opinioneve dhe kërkesave për rekomandime, Tirana u është drejtuar ekspertëve të Venecias plot 37 herë nga viti 1994 deri më sot, pra mesatarisht rreth 1.4 herë çdo vit. Vetëm nga 2014 e deri në 2021, Shqipëria i është drejtuar Venecias plot 12 herë.

Shifra e lartë në këtë periudhë lidhet me reformën në drejtësi, procesin e vettingut dhe përplasjen që pasoi djegia e mandateve të opozitës në 2019, anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti Meta dhe përplasja e këtij të fundit me mazhorancën për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Nga 2005 deri në 2009, Shqipëria i është drejtuar Venecias në nëntë raste të tjera. Pjesa më e madhe e opinioneve të kërkuara lidheshin me ndryshimet kushtetuese të prillit 2007, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që kaloi nga sistemi mazhoritar në proporcional rajonal dhe disa nisma ligjore që lidheshin me titujt e pronësisë dhe legalizimet.

Nga 1994 deri në 2004 janë 15 rastet e tjera kur institucionet shqiptare i janë drejtuar Venecias për opinione, përfshirë këtu për Kushtetutën, vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit të dënimit me vdekje me Kushtetutën e miratuar në 1998, emërimet në Gjykatën e Lartë, ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të tjera çështje.

Lista e shteteve që i janë drejtuar më shumë Venecias pas viteve 1990 ka një të përbashkët; ato janë që të gjitha shtete të Europës Lindore, me demokraci të brishtë dhe luftë politike për pushtet të ashpër.

Lista përmban vende si Moldavia e Ukraina. Në rastin e Ukrainës kulmi i kërkesave për opinione lidhet me nismat ligjore të ish-presidentit filo rus, Poroshenko, ndërsa Moldavia ka si veçanti se një pjesë të mirë të opinioneve të kërkesa i ka të lidhura me përplasjen me filo-rusët në rajonin e Transnistrias.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë