Politike

Debati në PD/ Këlliçi: Nuk kandidoj për FRPD. Vokshi: Zgjedhjet tek Lidhja e Gruas nuk mund t’i diktojë Basha

Belind Këlliçi, kryetari i FRPD-së, që të dielën iu bashkua publikisht ”Foltores” së Sali Berishës nuk do të kandidojë për një tjetër mandat. Edhe pse ai e ka mbushur moshën e lejuar me statut për të drejtuar një tjetër mandat në krye të FRPD, Këlliçi u shpreh se mbi të gjitha nuk e ka më ambicie një detyrë të tillë.

Ai pohoi se dorëheqjen nga kjo detyre ia kishte dorëzuar Bashës në zyrë do kohë më parë, porse ky i fundit, kishte hezituar ta pranonte.  

“Që ka një arsye mbrapa këtij vendimi, ka. Kanë qenë po ky Forum Rinor, po këta të rinj që kanë qenë në fushatë në çdo qytet të Shqipërisë. Fjala që unë do të merrja pjesë në Foltoren e Berishës qarkullonte prej ditës, ka qenë një vendim i imi personal, i komunikuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, nuk ka qenë një surprizë. Në asnjë moment, unë nuk jam kundër zgjedhjeve dhe riorganizimit të Forumit Rinor, i cili është i vonuar, por këtu po tentohet të hiqet vëmendja nga problemi i madh që ka PD. Po krijohet një përçarje e panevojshme në PD.

Para një muaji e gjysmë, unë i kam dorëzuar Bashës dorëheqjen në zyrë. Dorëheqja më është refuzuar në një farë mënyrë. Unë po e them sot këtu, ciklin tim, misionin tim në Forumin Rinor, e kam mbyllur. Unë nuk jam i ngjitur në karrigen e FRPD. Shpallja e tyre është antistatutore. Në asnjë nen statuti nuk i jep kompetencë kryetarit për të çelur garën në një organizatë partnere”, tha Këlliçi në emisionin ‘Debat” në A2 CNN .

Deputetja e PD, Albana Vokshi dhe njëkohësisht dhe kryetarja e Lidhjes Demokrate të Gruas ishte më  e drejtpërdrejte kur u pyet në të njëjtin emision mbi faktin që Basha kishte shpallur zgjedhjet e reja në këtë forum.

“Vendimi i Bashës është antistatutor. Nuk e them se më prek mua. Prej vitesh kam kërkuar që të bëhen zgjedhjet në LDG, por nuk e ka pranuar Lulzim Basha këtë. Prej shumë vitesh kam kërkuar të bëhen zgjedhje, madje kur u bënë zgjedhje në FRPD i kam kërkuar sërish dhe Basha më tha jo sepse nuk bëhen zgjedhjet në dy forume paralelisht. Atëherë nuk bëheshin paralelisht, por tani u bëkan dhe në kushtet e urgjencës.

Grupi i punës që ka ngritur Basha për zgjedhjet në FRPD e ka përjashtuar kryetarin aktual. Pse përjashtohet? Që të kontrollojë dhe forumin rinor? Në cilin forum u mor vendimi që do bëhen zgjedhjet në këtë moment kaq delikat për PD.

Nuk diskutuam kurrë, u njoftova me anë të një telefonate. Z.Basha nuk merr dot vendime për organizatat partnere. Ato kanë statut më vete. Historia e PD nuk fillon më 2013”, tha ajo.

Vokshi tha se LDGSH është gati për zgjedhje, por procesin nuk duhet ta diktoje grupi i punës i ngritur nga Basha.    

“LDG është e gatshme. Janë 10 mijë anëtare të reja. Jemi të gatshëm të ndërmarrim zgjedhje dhe javën që vjen. Nëse zonjat duan procesin me një anëtar, një votë e caktojnë ato. Nuk di si do operojmë. Ky grup pune i njoftuar nga Basha është ilegjitim, antistatutor. Unë do vijoj punën për zgjedhje në bazë të statutit. Unë do bëj procesin tim. Atë që kam nisur do ta përfundoj. Unë nuk do toleroj që me një telefonatë, një kryetar të hedh poshtë mundin e asaj që kanë arritur gratë demokrate në vite”, tha Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë