Politike

Duma-Muzhaqit: S’mund të kthehet ministria në Pallat Pionierësh, buxheti qesharak, 0.7 euro për fëmijë

Sa parashikohet të jetë buxheti  për fëmijët vitin që vjen?  Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, replikoi me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Sporteve, Bora Muzhaqi, gjatë diskutimeve në Komisionin e Çështjeve Sociale, për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Deputetja e PD-së theksoi se buxheti për këtë institucion është qesharak, pasi vendos në dispozicion të çdo fëmije shqiptar 0.7 euro.

“Unë ju përgëzoj se jeni një vajzë e re në krye të Ministrisë së Rinisë dhe të Sporteve. Por përveç kësaj do të doja ta vijoja me çdo gjë pozitive, por Ministria e Rinisë dhe Sporteve nuk mund të reduktohet në Pallatin e Pionerëve. Metaforë, se kështu është shndërruar. Ju keni një buxhet i cili për 1 milion e 318 mijë fëmijë, që nëse e pjestoni me buxhetin tuaj për fëmijët, i bie 0.7 euro për fëmijë. Ju po thoni që jo  të gjithë fëmijët kanë nevojë për buxhetin tonë, gjysma 1.4 euro atëherë.

Përsëri nuk ka nevojë gjysma? Ka nevojë 1/3? 2.8 deri në 3 euro për fëmijë. Apo ka nevojë 1/5? I bie 3.5 euro për fëmijë. Që në këtë moment ju duhet të thoni që buxheti që kemi ne është qesharak, nuk na del dhe nuk bëjmë dot asgjë, për këtë arsye po bëjmë ca projekte vanitoze me Bashkinë e Tiranës, si kryeqyteti i rinisë, për të dal ca foto te Plazza ai Veliaj”, tha ajo.

Më tej, Duma shtoi:  “Në një kryeqytet ku mungojnë 100 mijë fëmijë në 5 vite dhe ku nuk adresohet varfëria në asnjë pikë të buxhetit duhet të thoni që ne nuk e kryejmë dot misionin tonë.

Një gjë e keni detyrim ligjor që buxhetimi të bëhet në konsultë me grupet e interesit. Ju e dini fare mirë që keni marrë vetëm ato grupe që janë OJF të lidhura me pushtetin dhe këtë sigurisht unë nuk e kam me ju se e kuptoj zinxhirin e pushtetit që nuk ju konsideron ju fare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë