Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka ftoi median të njihet me 4200 formularët e dorëzuar në PD nga mbështetësit e Berishës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm Kombëtar.
“Qëllimi sot, i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia ju lutem të mos i fokusoni.
Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit. Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetar seksioni deri tek kryetari i partisë të degës.
Këtu janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emri i babait, numri i kartës së identitetit.
Ju them që të mos fokusojmë emrat. Gazetarët të ulen aty dhe t’i marrin t’i shohin. Gazetarët nuk i njohin delegatët, as unë nuk i njoh, verifikimi i tyre do të bëhet nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin Kombëtar. Do të ishte mirë që për transparencën e këtij Kuvendi, përpara se të nis puna të marrim më shumë kohë dhe ti lexojmë të gjithë emrat një nga një dhe pastaj të pajisen me mandatin për të hyrë në kuvend. Këto verifikohen ditën e Kuvendit me Komisionin e Mandateve”, tha Paloka.
Paloka tha gjithashtu se procedura e mbledhjes së Kuvendit të jashtëzakonshem nuk është e njëjtë me atë që parashikon statuti për mbajtjen e një Kuvendi normal
“Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. procedurat e statuti parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. Në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së Kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore. Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat”, tha Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje