Politike

Pas Palokës reagon Bardhi: Firmat të depozitohen zyrtarisht, edhe sikur të jetë mbledhur 1/8 të mos kyçen në kasafortë

Pas Edi Palokës i cili ftoi mediat që të njihen me formularët e delegatëve që kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, ka reaguar Sekretari i Pergjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi

Sipas tij, mbledhja e Kuvendit Kombëtar duhet të bëhet duke respektuar procedurën dhe statutin e partisë.

“Shpreh shqetësimin e thellë për vijimin e talljes me demokratët dhe shqiptarët.  Jeni bërë pa dëshirën tuaj dëshmitarë të procesit të talljes dhe fyerjes së çdo anëtari të PD. Dua të përsëris apelin tim drejtuar kujtdo që gjykon se duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe pretendon se ka arritur të sigurojë kuorumin për nisjen e procedurave për mbledhjen e Kuvendit, të ndjekë procedurat sipas Statutit.

Sot nuk janë fyer vetëm anëtarët, por edhe ajo pakicë që ka besuar në lëvizjen e zotit Berisha. Edhe sikur të jenë arritur 1/8 apo 1/10 siç janë të dhënat tona, ato nuk mund të mbyllen në kasafortë. Edhe zëri i kësaj pakicë duhet të dëgjohet nga institucionet e Partisë. Nxirrni firmat nga kasaforta, mos bëni shoë me gazetarët që nuk janë në gjendje të verifikojnë vetë që nuk janë delegatë, por nuk verifikojnë dot janë apo jo anëtarë apo në territorin e Shqipërisë.

Ftesa ime  është të respektoni Statutin. Kërkesa duhet të dorëzohet në protokollin e PD, institucionet të shqyrtojnë kërkesën dhe zëri i demokratëve të dëgjohet, qoftë ky edhe pakica e pakicës. Dje ju kam shpjeguar procedurën statutore, kjo parti është krenari e demokratëve nuk fshihemi dhe nuk veprojmë në ilegalitet. Dhe s’ mund të tallet kush me PD”, tha Bardhi.

Ai publikoi deklaratën e deputetit Flamur Noka për rregullat që duhen ndjekur për mbledhjen e Kuvendit.

“Në datën 29 Tetor, zoti Noka deklaroi se ‘firmat do të depozitohen në protokoll dhe më pas i takon kryetarit dhe Kryesisë të mbledhin Kuvendin”, citoi Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë