Bota

Dënohet me 11 vjet burg gazetari amerikan në Mianmar

Njëmbëdhjetë vjet burg, përfshirë punën e detyruar. Ky është dënimi me të cilin u dënua Danny Fenster, gazetari amerikan i arrestuar majin e kaluar në Mianmar, teksa tentonte të largohej nga vendi.

Lajmi për dënimin e tij e ka dhënë “Frontier Myanmar”, gazeta ku ai punonte si kryeredaktor. Fenster, 37 vjeç, u shpall fajtor për shkelje të ligjit të imigracionit, shoqërim të paligjshëm dhe nxitje të mospajtimit kundër ushtrisë, por situata e tij mund të përkeqësohet nëse ai shpallet fajtor për rebelim dhe terrorizëm, një akuzë për të cilën rrezikon dënim të përjetshëm.

Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura në një gjykatë të ngritur brenda burgut Insein, pikërisht në Yangon, kryeqyteti ekonomik i vendit, ku po mbahet gazetari amerikan.

Gazetari u akuzua se kishte punuar për gazetën “Myanmar Noë”, e ndaluar nga junta ushtarake pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit, por në realitet, Fenster kishte lënë gazetën në korrik 2020 për t’u bashkuar me “Frontier”: “Duam vetëm ta shohim Danny-n të liruar sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të shkojë në shtëpi te familja e tij”, thonë kolegët e tij që flasin për një gjyq politik pa prova.

Pas grushtit të shtetit që përmbysi qeverinë e Aung San Suu Kyi, rreth njëqind gazetarë përfunduan në burg sipas të dhënave të OJQ-së Reporterët pa Kufij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë