Gratë që punojnë nga shtëpia rrezikojnë gjithnjë e më shumë të dëmtojnë karrierën e tyre dhe të preken nga recesioni i gjinisë femërore teksa shumë burra po kthehen në zyrë duke punuar pas pandemisë, ka paralajmëruar një politikëbërëse e Bankës së Anglisë.
Catherine Mann, një anëtare e komitetit të politikës monetare të Bankës, tha se metodat virtuale të punës, të tilla si video-konferencat, nuk ishin në gjendje të përsërisnin bisedat spontane në zyrë që janë të rëndësishme për përparimin në karrierë.
“Platformat virtuale janë shumë më të mira se sa ishin edhe pesë vjet më parë,” tha Mann, duke folur në një takim për gratë në financa të organizuar nga gazeta Financial News.
Gratë nuk po kthehen në punë në të njëjtën masë si burrat, dhe kur janë duke punuar, ato kanë më shumë gjasa të punojnë nga shtëpia. Vështirësitë për kujdesin e fëmijëve dhe ndërprerja e shkollimit për shkak të pandemisë ka bërë që më shumë gra të vazhdojnë të punojnë nga distanca.
“Ka potencial për dy pista,” tha ajo. “Ka njerëz që janë në rrugën virtuale dhe njerëz që janë në rrugën fizike. Dhe unë shqetësohem se do të shohim zhvillimin e këtyre dy pistave dhe do të dimë shumë mirë se kush do të jetë në cilën pistë, për fat të keq.”
Vincent Keaveny, kryebashkiaku i Londrës, tha se një numër në rritje i stafit të Cityt po ktheheshin në zyrën në qendrën financiare të Mbretërisë së Bashkuar.
“Qyteti po kthehet në jetë,” tha ai për programin Today të BBC Radio 4. “Është një gjë vërtet e rëndësishme që anëtarët e rinj të sektorit të marrin trajnimin që u nevojitet, kreativitetin, kolegjialitetin që sjell zyra.”
Keaveny, një partner në firmën ligjore DLA Piper, tha se kompanitë duhet të lihen të përcaktojnë politikat e tyre për stafin që kthehet në punë dhe se nuk ka një model të vetëm pas pandemisë.
“Unë nuk mendoj se duhet t’u themi njerëzve apo kompanive se cfarë të bëjnë. Ne nuk duhet të mikromenaxhojmë kompanitë për një qasje ndaj kësaj çështjeje. Por, ka një mesazh shumë të fortë se, qyteti është i hapur dhe ne duam të shikojmë kthimin e sa më shumë njerëzve.
Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare,gratë kishin më shumë gjasa të punonin nga shtëpia sesa burrat, sepse u jepte atyre më shumë kohë për të punuar me më pak shpërqendrime.
Në gusht, kancelari, Rishi Sunak, paralajmëroi punëtorët e rinj se ata mund të rrezikonin karrierën e tyre nëse punonin nga shtëpia.
Mann ishte një profesoreshë ekonomie dhe kryeekonomiste në Citigroup dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim përpara se t’i bashkohej MPC-së për përcaktimin e normave të Bankës së Anglisë në shtator. Ajo është një nga dy gratë e vetme në komisionin prej nëntë anëtarësh.
Burimi: The Guardian/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje