Deklarata e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, se çelësi i fitores së tij në garën me Edi Ramën për Bashkinë e Tiranës ka qenë përjashtimi i Berishës nga fushata ka sjellë reagime të shumta nga ata që sot mbështesin Berishën.
Bujar Nishani, që atë kohë mbante drejtuesin e shtabit elektoral për Tiranën, shkruan në Facebook se në kohën e garës për Bashkinë e Tiranës Basha i shkonte çdo ditë në zyrë Berishës.
“…Gënjeshtari kongjenital po thotë se ka fituar në 2011, Bashkinë e Tiranës, pa Berishën !
Si drejtues i shtabit elektoral për Tiranën, atë botë, më bezdiste deri në nervozizëm tek shikoja se si gjatë gjithë ditës, L. Basha i kërkonte S. Berishës ta udhëzonte, t’i tregonte e ti mësonte edhe detajet më elementare për axhendën ditore dhe tezat e fushatës.
Ky nuk është thjesht qesharak, jo vetëm gënjeshtar kongjenital por një parazit politik me një kosto të madhe për të gjithë ne.
11 Dhjetori 2021, po vjen me shpejtësi.
Uragani i njerëzve të ndershëm, trimave e patriotëve do të shpëtojë Partinë Demokratike.
Të ringremë PD për të shpëtuar Shqipërinë”, shkruan Nishani.
Thuajse të njëjtën tezë përcjell edhe Edmond Spaho.
“…Berisha në vitin 2011 solli gjithë PD-në e Shqipërisë në Tiranë që të luftonte për Lulin. Çdonjërit iu vendos objektivi se çfarë rezultati duhet të arrinte në zonën në ngarkim.
Asnjëherë nuk kam votuar në Tiranë për shkak se kam qenë deputet në Korçë dhe më duhej të merresha me organizimin e zgjedhjeve atje dhe nëse do të vija të votoja në Tiranë, do të humbja një ditë kohë për fushatën në Korçë.
Në zgjedhjet e Lulit në vitin 2011 nuk e di si ma dha Zoti dhe erdha e votova në Tiranë. Kur mësova rezultatin me 11 vota diferencë, e falenderova Zotin, pasi Berisha për 11 vota do të merrte listat dhe do shihte me lupë kush kishte votuar e kush jo.
Të mos harrojmë se Luli pati 20 mijë votat e LSI-së në krah, marrëveshjen me Hysni Milloshin që vetëm Berisha mund ta bënte dhe që Ristani sakrifikoi reputacionin e tij që Basha të dilte fitues…”, shkruan Spaho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje