Politike

Nga buxheti te përplasja personale – Si u zhvendos debati Rama-Basha në Kuvend

Përplasja për buxhetin e vitit të ardhshëm devijoi shpejt në një përplasje personale mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Përballja nisi kur kreu i opozitës akuzoi se paratë e buxhetit po shkojnë për PPP-të dhe koncesionet korruptive dhe qortoi vendosjen në TVSh të inputeve bujqësore.

Basha tha se taksa më e lartë që po paguajnë shqiptarët është taksa e korrupsionit të Qeverisë “Rama”. Duke sjellë disa raporte ndërkombëtare, ai tha se Shqipëria renditet mes Zambias, Marokut, Afganistanit e Kazakistanit sa i takon nivelit të rryshfetit dhe sundimit të shtetit ligjor.

Rama akuzoi kryedemokratin se shifrat e sjella i kishte të rreme, duke ironizuar me deputeten Jorida Tabaku, por pa e përmendur në emër.

“Meqë i qani hallin ju bujqve dhe bujqësisë dhe atyre që kanë dalë atje. Çfarë ka ndodhur këtu? Meqë përmendi Serbinë. Sa e ka kot për kuriozitet Lulzim, hajde thuaje këtu, sa e ka Serbia TVSH-në e imputeve bujqësore? Ti që di Serbinë, ti që di Malin e Zi, ti që di Kosovën, ti që di Maqedoninë, hajde thuaji këtu sa e ka, ose pyet atë që ke në krah se ajo t’i jep shifrat ty, megjithëse ti jep si balonë tabake. Hajde thuaje këtu. Balona tabakë është balona më e mirë, se ka dhe balonë tauke këtu. Nuk kam punë me mbiemrin fare. Flas për balonat, nuk flas për mbiemrat. Këtë e keni stil ju. Hajde thuaje këtu, sa e kanë TVSH-në? E mos më ndërprisni, asnjë problem etik nuk ka këtu. Balonat janë objekte me të cilat kemi luajtur kur kemi qenë të vegjël. Ka pasur tauke, ka pasur dhe tabake. Tabaket ishin niveli më i lartë, se tauket ishin e përgjithshme. Kështu që është kompliment në një farë mënyre, nëse ju e merrni për persona, por unë nuk kam lidhje me personat fare”, tha Rama.

Në replikën e tij, Basha i kërkoi kryetares së Kuvendit që të zbatojë të njëjtin standard sa i takon etikës në Kuvend. Ai akuzoi Ramën për ofendim individual dhe kolektiv të opozitës.

“Është e disata herë që ky njeri vjen këtu dhe fyen individualisht dhe në grup opozitën. Dhe, kush fyen? Dhe kë fyen? Zonja të cilës iu referove është doktoreshë shkencash kur ti bridhje poshtë urave të Parisit. Është specializuar në një nga 30 universitetet më të mira të botës në ekonomi, në Angli. Kur ti ofroje shërbime në Gare du nord. Po, po nga ato të pataksuarat. Kujdes ku matesh me ne. Kujdes kur matesh me ne sepse ta ka thënë paraardhësi yt sesi të ka sjellë këtu. Kujdes kur matesh me ne sepse jemi gjeneratë tjetër ne. Vijmë nga universitetet më të mira të Europës. Ajo që na ka kthyer është dëshira për t’i shërbyer vendit. Nuk vijmë nga muri mbrapa i Gare du nord për t’i bërë këtij vendi atë që i ke bërë ti. Gropa i Hajdin Sejdisë është simboli yt. Dhe ti je prodhimi i gropës së Hajdin Sejdisë së kësaj shoqërie në kuptimin figurativ”, tha ai.

“Kështu që fjalorin e shteruar dhe banalitetin e tepruar ruaje për shtëpinë tënde, nëse me këtë edukatë je rritur dhe me këtë edukatë po rrit fëmijët e tu dhe mos më bëj mua të të jap kilon e plotë që t’i meriton. Mbaje gojën. Atë dëshiron ti, sepse ti je bosh, ti dëshiron që unë të merrem 20 minuta me ty sepse ti je bosh. Ti je një 0 je një hiç. Një hiç. Të tillë të ka prodhuar vetvetja dhe kjo është taksa që paguan një shoqëri që nuk diti të ndahet tamam nga e kaluara. Ti je taksa, ti je shpagesa për mëkatet e etërve tanë, edhe të Partisë Demokratike për një pjesë”, replikoi Basha.

Mes institucioneve që iu referua kreu i PD ishte edhe Eurostat, ku solli shifra, që sipas tij tregojnë se varfëria në Shqipëri është rritur.

“Ti me shifrat ke një problem fiziologjik dhe psikologjik, por kjo është tabela. Patjetër, mund të vish këtu dhe ta kam thënë “Pse e thua 50%, thuaje 60, 70, thuaj 100% të varfër”. Bëhu dhe vetë i varfër, se nuk e ke problem të bësh sikur, por e vërteta është kjo. Siç është e vërteta që shifrat në kohën tuaj janë pa krahasim fare, edhe të varfërisë, edhe të armëmbajtjeve pa leje në stadium, meqë po flet një armëmbajtjes pa leje, që i gjuante arbitrave me revole dhe vjen këtu e flet për varfërinë”, iu përgjigj Rama.

Ai akuzoi kreun e PD për riciklim akuzash ndërsa e ftoi që të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar në lidhje me çështjen Toyota Yaris, ku u kapën mbi 3 milionë euro, që po përpiqeshin të hynin në Shqipëri. Sa i takon shifrave të Eurostat, Rama bëri një tjetër lexim nga Basha.

“Sipas kësaj tabele, kjo Shqipëria që e keni bërë rrogoz sa herë hapni gojën, në tabelën e renditjes për varfërinë, të vitit 2019, – sepse janë të dhëna të 2019 që janë publikuar tani, – renditet jo me 50% e 60% varfëri, siç thoni ju. Kjo nuk ekziston, kjo ka qenë në kohën tuaj. Në kohën tuaj, varfëria ishte mbi 40%. Renditet në një grup, së bashku me Turqinë 22,4, pra po marr grupin që është mbi 22. Turqia 22,4, Letonia 22,9, Shqipëria 23, Serbia, – meqë erdhi këtu si shembull që në Serbi paskan shpëtuar nga varfëria, – është 23,2 pra pas Shqipërisë, Rumania 23,8 dhe Mali i Zi 24,5. Me shifrat e Eurostat, Lulzim”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë