Politike

Berisha: Ka vetëm një Kuvend, ai i 11 dhjetorit, më pas revolucion paqësor ndaj Bashës dhe Ramës

Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka lajmëruar përmes një konference për shtyp se do të ketë vetëm një Kuvend Kombëtar, ai i 11 dhjetorit. Berisha ftoi Bashën që të jetë pjesë e këtij Kuvendi, duke paralajmëruar se ditët në vijim pas atij Kuvendi do të jenë ditë të revolucionit paqësor. Berisha nuk specifikoi se si por hoqi një paralelizëm me ngjarjet e ’90-ës. I pyetur më konkretisht nga media ai tha:

“Nënkuptoj pa asnjë diskutim përgjigjet më të përshtatshme ndaj cdo përpjekje për të bllokuar këtë uragan apo këtë vullkan të themi që po rikthen pluralizmin në Shqipëri…”, tha Berisha.

Gjatë konferencës ai nënvizoi: “Revolucioni paqësor do të merret me pengmarrësin dhe pengun nëse Basha nuk vjen në Kuvendin e 11 dhjetorit përjashton veten nga Kuvendi por ditët në vazhdim janë të revolucionit demokratik paqësor, paralajmërimi për Ramën është i fortë, shumë i fortë mos luaj me pluralizmin…”.

Ai i cilësoi qëndrimet e Bashës në kryesi dhe vetë vendimin për të mbledhur Kuvendin e 18 dhjetorit të pavlerë.

“Qëndrime absurde apo deklarata të shplara, kuvendi do mbahet në datën 11 dhjetor nuk janë delegatët që provokuan.

Përpjekja e Lulzim Bashës është banale, qesharake e pabesë, e pashpresë të gjitha llojet e epiteteve mund t’i vihen asaj, është e pavlerë…

Askush nuk mund të lëvizë një gërmë të vetme të rendit të ditës të përcaktuar nga anëtarësia…”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi: “Ne po ndjekim me rigorozitet ligjet ekzistuese. Ndaj i them Edi Ramës hiq dorë, se do hysh në histori njësoj si daja yt që kërkonte të bllokonte pluralizmin me tanke. Mos ju shërbe me pengje e stërpengje, idealet e demokratëve nuk mund ti mposhte askush, kurse peng-kryetarit nuk kam ndonjë mesazh të veçante sepse ai komandohet nga pengmarrësi, por i them më 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD-së. Ky Kuvend ka meritën historike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë edhe më gjerë, nuk e thërret përfaqësia, e thërret anëtarësia. Ndaj cilido që hyn në atë Kuvend hyn strikt si anëtar i barabartë me të gjithë të tjerët. Sikundër e njoftoj peng-Bashën se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit. Kuvendi vazhdon veprimtarinë e tij deri në rivendosjen e plotë të pluralizmit politik në Shqipëri. Mos mendo Edvin se duke vjedhur data do mund ti dalësh përpara këtij Kuvendi. Ti keni të qarta gjërat ky është revolucion paqësor, askush nuk mund të luaj me të. Qëllimi makabër politik i peng-marrësit dhe pengut është që ti vjedhin Kuvendit dhe rendin e ditës. U vini gishtin kokës u them të dyve, se ata që kanë vënë firmën nuk do pranojnë kurrë që njeri në botë t’ju ndryshojë edhe një gërme nga axhenda”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë