Bota

Samiti Biden-Xi/ Hapat e parë të dialogut, por për Tajvanin SHBA nuk duhet të luajë me ‘zjarrin’

Ka përfunduar pas rreth tre orësh samiti virtual mes presidentëve amerikanë dhe kinezë, Joe Biden dhe Xi Jinping. Në fillim, presidenti amerikan i bëri thirrje homologut të tij që “të shmangë një konflikt midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”.

Xi tha se “Kina është e gatshme të punojë me Amerikën për të krijuar një konsensus dhe për të ndërmarrë veprime për të udhëhequr zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve kinezo-amerikane”.

Ministri i Jashtëm kinez, Hua Chunying, duke komentuar samitin me një postim në Twitter, e përshkroi takimin si “të gjerë, të thelluar, të sinqertë, konstruktiv, konkret dhe produktiv. Ai ndihmon në rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë”.

Gjithashtu, sipas Chunying, takimi mori një “mesazh të fuqishëm për botën: Kina dhe Shtetet e Bashkuara bien dakord se është e nevojshme të respektojnë njëri-tjetrin, të bashkëjetojnë në paqe, të ruajnë dialogun dhe të menaxhojnë siç duhet dallimet”.

Një takim që filloi me përzemërsi ekstreme, me presidentin kinez Xi Jinping i cili përshëndeti homologun e tij amerikan Joe Biden si “një mik të vjetër”, duke thënë se ishte “shumë i lumtur” që e shihte përsëri dhe e konsideronte thelbësore që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë së bashku për adresimin e sfidave të përbashkëta.

Biden, dëshironte që ai të kishte diskutime “të sinqerta dhe të drejtpërdrejta” me Xi për të adresuar dallimet e shumta përmes dialogut dhe komunikimit të përmirësuar.

“Ne duhet të sigurojmë që konkurrenca jonë të mos rrëshqasë, vullnetarisht ose jo, në një konflikt. Ne duhet të vendosim shina mbrojtëse në rrugën tonë: ne kemi përgjegjësi ndaj gjithë botës, jo vetëm ndaj popujve tanë”, – theksoi Baiden.

Ndërsa përgjigja nga Xi Jinping, ishte: “Bota është një fshat global. Dy vendet tona mund të punojnë së bashku për kauzën e përbashkët të paqes dhe zhvillimit”.

Presidenti kinez Xi Jinping “shpreson” që homologu i tij amerikan Joe Biden “t’i japë hapësirë të plotë lidershipit të tij politik dhe të shtyjë politikën e SHBA-ve ndaj Kinës që të kthehet në një udhë racionale dhe pragmatike”.

Xi, në raportin e samitit virtual të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua”, vuri në dukje se, “duke përmbledhur përvojën dhe mësimet në zhvillimin e marrëdhënieve kinezo-amerikane”, të dy vendet “duhet t’u përmbahen tre parimeve për t’u marrë vesh në epokën e re”: respekt i ndërsjellë, bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunim i dobishëm për të dyja palët.

Në tavolinë nuk mungonin temat e mprehta. Biden shprehu shqetësim për situatën e të drejtave të njeriut në Xinjiang, Hong Kong dhe Tibet, duke theksuar nevojën për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset amerikane nga praktikat e padrejta ekonomike dhe të biznesit.

Më tej, presidenti amerikan vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në në Tajvan dhe për të minuar paqen dhe stabilitetin në zonë.

Por pikërisht për situatën në ngushticën e Tajvanit, pozicionet dukeshin ende të largëta.

Sipas Xi-ë, autoritetet e ishullit janë përpjekur vazhdimisht t’i bëjnë “të besojnë Shtetet e Bashkuara për pavarësi” dhe disa njerëz në SHBA synojnë “të përdorin Tajvanin për të kontrolluar Kinën”.

Ky trend, tha presidenti kinez, “është shumë i rrezikshëm: po luani me zjarrin dhe ju do digjeni. Ne jemi të duruar për ribashkimin, por nëse forcat separatiste kalojnë vijën e kuqe, ne do të duhet të marrim masa vendimtare”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë