Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Itali, ku u prit në Romë nga homologu italian, Mario Draghi. Qëllimi i vizitës lidhej me njohjen e pensioneve për mijëra shqiptarët që kanë kontribuar ndër vite në skemën e kontributeve shoqërore italiane.
Për këtë temë, Rama në të shkuarën ka pasur bisedime me ministrin e Jashtëm italiane, Luigi Di Maio. Por, çështja, siç tha Kryeministri shqiptar, është e ndërlikuar.
“I kërkova Kryeministrit edhe një përshpejtim të procesit të njohjes së pensioneve. Është një proces që e kemi filluar prej kohësh, është një proces i vështirë. Dy janë marrëveshjet më të vështira për shkak të masës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe në Greqi, marrëveshjet pikërisht me Greqinë dhe Italinë”, tha Rama.
Diskutime ka pasur edhe për çështjen e integrimit. Rama kërkoi hapjen sa më parë të negociatave. Ai tha se ka diskutuar me homologun italian mundësinë e integrimit të sektorëve të caktuar.
“Folëm dhe në drejtim të integrimit europian që të mund të çelim një korsi më të shpejtë në mënyrë që të integrohet më shpejt se sa vendet e Balkanit Perëndimor disa kategori të rëndësishme si të rinjtë që do ishte shumë e rëndësishme nëse do mund të integroheshin sistemet universitare europiane me sistemet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, apo sistemet europiane të bujqësisë me tonat, sistemet e kërkimit dhe inovacionit dhe pa harruar tranzicionin ekologjik, si sfidë e përbashkët”, tha ai.
Kryeministri italian, Mario Draghi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa foli për potencial të thellimit të këtyre marrëdhënieve në disa sektorë.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë shtrohet ende në bujqësi, turizëm, shërbime, Italia është pranë Shqipërisë për hyrjen e Shqipërisë në BE dhe ndjek nga afër për përshtatjen e standardeve të Shqipërisë me ato të BE dhe për rolin e Shqipërisë në stabilitetin në Ballkan”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje