Një ditë pasi Kuvendi miratoi në parim buxhetin dhe paketën e re fiskale të vitit 2022, Presidenti Ilir Meta në një reagim për mediat, thotë se ka vlerësuar ta lërë në heshtje ligjin nr. 105/2021 “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020” dhe ka kërkuar vëmendjen e Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, “për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin”.
“Në seancën plenare të datës 28 tetor 2021, Kuvendi i Shqipërise ka miratuar ligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”, ligj të cilin ia ka përcjellë Presidentit të Republikës për shpallje.
Qëllimi i ligjit është miratimi i buxhetit faktik të qeverisjes së përgjithshme të vitit 2020.
Objektivi që synohet është plotësimi i kërkesës ligjore (të neneve 62 e 63, të ligjit nr.9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar) për raportimin e zbatimit të buxhetit të vitit 2020, të llogarive vjetore për transaksionet financiare të entiteteve të qeverisjes së përgjithshme (qeverisjes qendrore, vendore dhe fondeve speciale të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të trajtimit të pronave) dhe informimin për arritjen e objektivave, situatën e menaxhimit, të kontrollit të brendshëm financiar dhe auditimit të brendshëm”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së këtij ligji, në raport me dokumente dhe të dhëna të tjera zyrtare mbi zbatimin e buxhetit të shtetit (2020), veçanërisht konstatimet nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e tij, Presidenti i Republikës, sjell në vëmendje të Kuvendit, si dhe vë në dijeni edhe qytetarët “mbi disa problematika të theksuara, që lidhen me planifikimin dhe zbatimin buxhetor”.
“Ligji nr. 105/2021 miraton buxhetin faktik të vitit 2020, dhe rrjedhimisht kthimi i këtij ligji për rishqyrtim në Kuvend, nuk do të përbënte ndonjë ndryshim thelbësor.
Për këtë arsye, Presidenti i Republikës ka vlerësuar ta lërë në heshtje këtë ligj, por duke kërkuar vëmendjen e Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin.
Presidenti i Republikës, fton Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë të reflektojnë mbi këto gjetje, mangësi në realizimin e treguesve fiskalë”, thuhet në reagim duke parashtruar edhe vërejtjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje