Bota

Oklahoma, guvernatori anulon ekzekutimin me vdekje të afro-amerikanit pak orë para injeksionit

Ekzekutimi i dënimit ishte caktuar për në orën katër pasdite të së enjtes, 18 nëntor. Por rreth mesditës, Guvernatori i Oklahomas, republikani Kevin Stitt, ndryshoi fatin e Julius Jones, 41 vjeç, i cili është dënuar me vdekje që nga viti 2002.

“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të dokumenteve, kam vendosur t’ia lehtësoj dënimin Julius Jones: ai do të vuajë një dënim të përjetshëm pa mundësinë e provës”, – është deklarata e Sttit. Lajmi u prit me ovacione nga turma që priste jashtë zyrës së Guvernatorit në Oklahoma Siti.

Julius, 41 vjeç, ishte dënuar kur ishte njëzet e dy vjeç për vrasjen e Paul Howell. Viktima, 45 vjeç, ka reaguar ndaj tentativës për vjedhje të makinës së tij. Ai po parkonte në shtëpinë e prindërve të tij në periferi të Edmondit, pasi kishte bërë pazar me dy vajzat dhe motrën e tij.

Vrasësi e qëlloi atë pa pikë mëshire. Ishte motra e tij që i vuri hetuesit në gjurmët e dy të rinjve afrikano-amerikanë. Julius, në atë kohë, studionte në universitet.

Ai u arrestua së bashku me një djalë tjetër me ngjyrë, Christopher Jordan. Ishte vera e vitit 1999. Gjyqi u mbajt tre vjet më vonë. Jordan fajësoi për vrasjen partnerin e tij, duke pretenduar se ai drejtonte vetëm makinën gjatë arratisjes. Megjithatë, ai u dënua me 30 burg. Bëri vetëm 15, por që nga viti 2017 është sërish qytetar i lirë.

Nga ana tjetër, edhe Julius u deklarua i pafajshëm, ai tha se në momentin e krimit ishte duke drekuar me prindërit e tij, në një shtëpi 35 milje larg Edmondit. Por ai nuk mund ta provonte. Juria e dënoi me vdekje.

Për vite me radhë, Jones e mbajti versionin e tij, në pritje të ekzekutimit. Organizatat e të drejtave civile luftuan për pezullimin e dënimit dhe për rishikimin e gjykimit.

Mbi 6.3 milionë njerëz kanë nënshkruar një peticion në favor të tij në faqen e internetit Change.org. Bashkë me të janë rreshtuar edhe disa të famshëm, si Kim Kardashian.

Blogerja filloi të mbështeste kauzën e tij përmes Twitter (mbi 70 milionë ndjekës) dhe më pas e vizitoi atë në burgun e qytetit të Oklahomas në nëntor 2020.

Përfundimisht të gjitha këto presione e bindën guvernatorin Stitt që të ndalonte ekzekutuesin. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rreth 2,500 të burgosur që presin vdekjen në dënim me vdekje.

Rreth 40% janë afrikano-amerikanë, krahasuar me 15% të popullsisë totale të SHBA. Për këtë vit ishin planifikuar 45 ekzekutime dhe vetëm 10 u përfunduan.

Sipas sondazheve të besueshme, si ajo e kryer nga Pew Center në prill 2021, 60% e amerikanëve janë në favor të dënimit me vdekje për ata që kanë kryer vrasje.

64% besojnë se është një dënim i justifikuar moralisht; megjithëse 63% shtojnë se nuk mund të konsiderohet si një pengesë efektive dhe 78% frikësohen se mund të ndodhin gabime gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë