Bota

Protesta dhe përplasje me policinë kundër kufizimeve ndaj Covid-19 në Holandë, 2 të plagosur

Në Roterdam të Holandës po zhvillohen protesta kundër masave kufizuese ndaj Covid-19, të cilat janë shoqëruar edhe me tensione të larta. Sipas raportimeve nga kryetari i bashkisë së qytetit, 20 persona janë arrestuar dhe 2 janë plagosur.

Rivendosja e izolimit të pjesshëm të shtunën e kaluar ndezi protestën e qindra njerëzve që u mblodhën në qendër të Roterdamit. Dhe shumë prej tyre, duke thirrur “liri”, shpërthyen shashka dhe hodhën sende drejt policisë. Të paktën një makinë policie u dogj, ndërsa të tjera u dëmtuan nga demonstruesit. Zjarrfikësit janë qëlluar teksa po shuanin zjarrin. Edhe automjeteve të tjera iu vu flaka.

Policia ndërhyri duke përdorur një top uji për të shpërndarë turmën dhe duke gjuajtur të shtëna paralajmëruese, të cilat në rrethana ende të paqarta rezultuan me të paktën dy të plagosur.

Lajmin e ka konfirmuar policia. Gerrit van de Kamp, president i sindikatës, shpjegoi se “do të duhet të hetojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne kemi thënë prej disa kohësh që kjo nuk është më e mundur”.

Përplasjet zgjatën disa orë: një pjesë e qendrës u mbyll, si dhe stacioni kryesor i trenit. Bashkia ka nxjerrë një urdhëresë urgjente “për ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e sigurisë së njerëzve”.

Holanda ishte vendi i parë europian që rivendosi një masa të tjera shtrënguese, pasi infeksionet nga Covid u rritën në nivele rekord. Më 12 nëntor, kur qeveria shpalli masat e reja, demonstruesit u përleshën me policinë në Hagë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë