Inteligjenca amerikane dhe britanike janë gjithnjë e më shumë të bindura se presidenti rus, Vladimir Putin po konsideron veprime të reja ushtarake për të marrë kontrollin e një pjese më të madhe të Ukrainës ose për të destabilizuar vendin duke nxitur një qeveri më pro-Moskës.
Gazeta amerikane “New York Times“, shkruan se shërbimet inteligjente po i këshillojnë aleatët se ekziston një dritare e ngushtë kohore për të parandaluar një veprim të tillë, duke i shtyrë vendet evropiane të punojnë me SHBA-në për të zhvilluar një paketë sanksionesh ekonomike dhe masash ushtarake për të frenuar qëllimet e Kremlinit.
Inteligjenca amerikane, sipas burimeve amerikane dhe evropiane të “NYT”, u tha aleatëve se Putini është gjithnjë e më i frustruar nga procesi i paqes i rënë dakord me Francën dhe Gjermaninë pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjen për kryengritjen separatiste në rajonin separatist Donbas.
Sipas ‘007’ amerikanë, Putini vazhdon të grumbullojë trupa në kufirin me vendin fqinj dhe mund të jetë i gatshëm të sigurojë një rrugë tokësore midis Ukrainës lindore dhe Krimesë.
Analistët amerikanë besojnë se lideri i Kremlinit i sheh muajt e ardhshëm si një kohë unike për të vepruar, duke përfituar nga dalja e Angela Merkelit si kancelarë në Gjermani dhe rritja e çmimeve të energjisë, të cilat mund të kufizojnë mbështetjen e Evropës – kryesisht e varur nga furnizimet ruse – me ndëshkime të ashpra.
Po ashtu, edhe agjencia “Bloomberg”, shkruan se SHBA ka informuar aleatët e saj evropianë mbi mundësinë e pushtimit që Rusia mund t’i bëjë Ukrainës.
“Informacioni përfshin hartat që tregojnë mbledhjen e trupave ruse dhe përgatitjet për një operacion në shkallë të gjerë në Ukrainë nëse Vladimir Putin vendos ta pushtojë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje