Ish-drejtuesi për qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 Prillit dhe ish-nënkryetar i PD-së për shumë vite, aktualisht i rreshtuar krah Sali Berishës, Edmond Spaho ka radhitur në Facebook ato që ai i cilëson si betejat e humbura të Lulzim Bashës.
“Ke humbur në zgjedhjet vendore të vitit 2015. T’u sugjerua që të mos hyje në zgjedhje në Durrës dhe Kavajë sepse Roshi dhe Dako kishin sjellë mijëra votues nga rrethe të tjera, por këmbëngule dhe humbe në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në Durrës dhe Kavajë.
Humbe në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2017 pas marrëveshjes personale me Ramën. Partia hyri e shpartalluar ne zgjedhje për shkak të qëndrimit të gjatë dhe pa rezultat në çadër, si dhe problemeve që u krijuan nga largimi i shumë ish-drejtuesve të PD me vendimin tënd personal.
Për herë të tretë humbe në vitin 2019, kur na sigurove që nuk do të ketë zgjedhje vendore në 30 Qershor. Madje vonë kuptuam që nuk do kishte zgjedhje as në 13 Tetor pasi nuk e regjistrove PD në KQZ.
Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese i njohën zgjedhjet e vitit 2019 si të rregullta. Aq larg ishe nga realiteti dhe thoshe të pavërteta, saqë në Shtator 2021 deklarove në Grupin Parlamentar që zgjedhjet vendore do ripërsëriten kur të duam ne, madje edhe për dy javë.
Për here të katërt humbe në vitin 2021. Një fushatë e vakët, e personalizuar, me këshilltarë që nuk njihnin realitetin shqiptar, premtime të ekzagjeruara, mungesë koordinimi dhe pa mbështetje logjistike e financiare.
Nuk ke humbur vetëm beteja elektorale, por edhe beteja politike”, shkruan Spaho.
Më tej ai shton: “Ideja jote për t’u larguar nga reforma territoriale e la Ramën të lire të krijonte njësi sipas shpërndarjes së votuesve të majtë e të djathtë dhe të marrë avantazh elektoral. Kjo mund të renditet si humbja e pestë, megjithëse nga ana kohore ishte marrëzia e parë.
Më pas le mandatet në një lëvizje të pamatur politike dhe vetëvrasëse që do përmendet për dhjetëra vitet e ardhshme jo vetëm në Shqipëri.
Çudia është që deri ditën që shpalle vendimin për djegien e mandateve, të gjithë në Parti dhe Grupin Parlamentar ishin të painformuar dhe të bindur që mandatet nuk do të digjeshin nisur nga çfarë ju kishe thënë më parë.
Humbje të tjera te tuat ishin mosmarrja pjesë në reformën në drejtësi duke i lënë dorë të lire Ramës ta ndërtojë drejtësinë në vend si harem personal, ku çdo i emëruar bën çfarë do dhe si i pëlqen Ramës.
Humbje të tuat ishin zvarritjet 8-vjeçare të reformës zgjedhore sipas modelit ‘puno ditën dhe prish natën’.
Votimi elektronik është shfaqja e turpshme e paaftësisë për të bërë ndonjë gjë në interes të PD dhe vendit megjithëse Rama të la dorë të lirë ta drejtoje këtë proces.
Të njëjtën gjë bëre në 5 Qershor 2020 kur ta morën marrëveshjen për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duke u zgërdhirë, e më pas të ndryshuan Kushtetutën sipas interesave personale të Ramës.
Unë nuk di që një drejtues të ketë humbur kaq shume beteja në kaq kohë. S’kishte si ndodhte ndryshe kur nuk konsultoheshe me asnjë, nuk dëgjoje, nuk reflektoje ndaj gabimeve, ishe i painteresuar për çfarë ndodhte dhe i qëndroje larg Partisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje