Për Partinë Demokratike deklarata e deputetit të Partisë Socialiste, Bujar Çela që kërkoi rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës nuk është e rastësishme.
“Nuk është një rast i shkëputur. Nuk na bën çudi fakti që një ligjvënës i Partisë Socialiste ndërmerr këtë akt, tek e fundit është prova më e gjallë, është prova më energjike Partia Socialiste është pjella dhe trashëgimtarja e Partisë së Punës, e trashëgimisë diktatoriale. Kjo pra është ajo se çfarë ngjarja e djeshme është një detyrim moral dhe politik i yni”, tha nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj, të cilit Bujar Çela iu referua si “nipi i Isa Toskës”, tha se deklarata e deputetit socialist tregon dhe shtron për diskutim para shoqërisë shqiptare nevojën për t’u distancuar nga diktatura enveriste, nga pasojat që ka lënë në shoqërinë shqiptare dhe nga ndikimi në të ardhmen.
Për këtë qëllim, u shpreh ai, është urgjent dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, proces për të cilin opozita përveçse do të kërkojë ndëshkimin e deputetit Çela, do të propozojë edhe një paketë gjithëpërfshirëse, siç tha Alibeaj.
Por, në 3 dekada ka pasur disa paketa të ngjashme, disa kanë kaluar të cunguara, të tjera janë refuzuar e shumë kanë mbetur në kuadrin e propozimeve. Çfarë e bën ndryshe propozimin e ri të demokratëve?
“Paketa ligjore do të fokusojë më së pari pikërisht dekomunistizimin. Pajisjen dhe pasurimin e kurrikulave në shkolla, shpërblimin e të dënuarve, e të përndjekurve, ndëshkimin dhe distancimin nga trashëgimia e së djeshmes”, sqaroi Alibeaj.
Një nismë të ngjashme, PD e ndërmori në vitin 2018-të në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer. Këtë herë, sipas Alibeajt, opozita do të kërkojë një proces që të marrë miratimin edhe nga socialistët.
“Shumë çështje ne i kemi trajtuar në iniciativën e 2018-ës, por mesa duket është e udhës, që një proces konsultimi i gjerë, ku të përfshihen, jo vetëm grupet e interesit, por të përfshihet dhe shoqëria civile, do të organizohet, nëpërmjet edhe fondacionit për Liri dhe Demokraci, i cili do ta krijojë këtë proces konsultimi, me një synim të thjeshtë, por besoj unë delikat, të mos biem në kurthin që të jetë një iniciative e njëanshme politike”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje