Vala e skandalit që çoi në dorëheqjen e ish-guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i akuzuar për ngacmime seksuale ndaj shumë grave në administratën e tij, tashmë është përhapur edhe te vëllai i tij, Chris, drejtues i televizionit amerikan, CNN.
Ikën kohët “heroike” të pandemisë, kur guvernatori ishte zëri qetësues i kombit, kur gazetari drejtonte emisionin nga bodrumi i shtëpisë së tij, sepse ishte pozitiv me Covid, kur dy vëllezërit bënin duet në televizion, duke përfshinë edhe nënën e tyre Matilde, të cilës i takonte ligji për mbrojtjen e të moshuarve.
Në gusht, Andrew Cuomo, 64 vjeç, pranoi të jepte dorëheqjen, jo përpara se të përpiqej në çdo mënyrë t’u rezistonte akuzave. Bashkëpunëtor në këtë strategji, zbulon tani gazeta amerikane “New York Times”, ishte gjithashtu vëllai i tij Chris, 51 vjeç, i përfshirë në mënyrë aktive në mbrojtjen dhe reputacionin e guvernatorit, duke përcaktuar mbështetjen e tij, madje duke i kaluar informacione avokatëve të tij.
“Duhet të më besoni mua”, – i tha ai në mars Melissa DeRosa-s, bashkëpunëtore e të vëllait që menaxhonte situatën. “Ne po bëjmë gabime që nuk mund t’i përballojmë”.
I linçuar publikisht, guvernatori po përballej vetëm me njerëzit që i besonte verbërisht: mes tyre ishte padyshim vëllai i tij Chris, i cili, siç shpjegon “Nbc”, do të kishte luajtur një rol shumë më të madh nga sa ka pranuar deri më tani.
“Kur situata u përkeqësua, vëllai im më kërkoi të qëndroja në grup”, u tha ai agjentëve që e morën në pyetje, duke pretenduar, megjithatë, se ai kurrë nuk e manipuloi mbulimin e lajmeve dhe nuk iu drejtua gazetarëve të tjerë për të ndihmuar vëllain e tij.
“Dëgjova dhe dhashë mendimin tim, si vëlla”, u tha i riu Cuomo në një moment dëgjuesve të tij, duke shpjeguar se këshilla e tij, ka qenë gjithmonë “të tregojë të vërtetën” dhe të japë dorëheqjen nëse është e nevojshme.
Në fakt, sipas mesazheve, ‘emaileve’ dhe dëshmive të mbledhura nga hetuesit nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut, Letitia James – tani një kandidate për të qeverisur shtetin – Chris do të kishte shkuar më tej.
Duke përdorur burimet dhe raportet e tij, ai do të përditësonte ekipin e guvernatorit për gazetarët që synonin të mbulonin çështjen dhe historitë e skandalit, do të jepte informacion mbi akuzuesit, do të merrte pjesë në thirrjet për të përcaktuar strategjinë mbrojtëse, do të sugjeronte komunikata, do të ndihmonte në mënyrë efektive këshilltarët e Andrew-t për të manipuluar shtypin, për të diskredituar akuzueset dhe për të shtyrë dorëheqjen, të cilën ai e dekurajoi privatisht.
“Ne do ta diskutojmë dhe do të përpiqemi ta sqarojmë”, komentoi CNN të hënën, kur u bënë publike dëshmitë e çështjes “Cuomo”. “Këto dokumente, kanë nevojë për një shqyrtim të plotë”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje