Bota

Von der Leyen: BE duhet të marrë në konsideratë vaksinimin e detyrueshëm

“BE-ja duhet të marrë në konsideratë vaksinimin e detyrueshëm si një përgjigje kundër përhapjes së variantit të ri Omicron në Europë”, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në një thirrje për të forcuar kapacitet mbrojtëse, Von der Leyen tha se 27 vendet anëtare të BE-së duhet të shtojnë vaksinimet me dozat e treta dhe të mbështesin vendet që kanë shumë pak imunizim.

E pyetur nëse ajo e mbështeti qeverinë greke në vendosjen e një gjobe mujore prej 100 eurosh për ata të moshës 60 vjeç e lart që nuk bëjnë vaksinën, Von der Leyen tha se përhapja e sëmundjes dhe mungesa e marrjes së vaksinës në pjesë të BE-së nënkuptonin se vaksinimi i detyrueshëm do të ishte një përgjigje shumë e mirë e politikës për virusin.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, Von der Leyen shtoi se si mjeke në profesion ajo këshillon që të gjtihë t’i drejtohen vaksinave për të pasur mbrojtje.

“Ne kemi vaksinat dhe ata shpëtojnë jetë, por nuk po përdoren si duhet kudo. Kjo ka kosto të madhe shëndetësore. Nëse shikoni shifrat, tani kemi 77% të të rriturve në Bashkimin Evropian të vaksinuar ose nëse merrni të gjithë popullsinë, është 66%. Dhe kjo do të thotë se një e treta e popullsisë evropiane nuk është e vaksinuar. Këta janë rreth 150 milionë njerëz që rrezikojnë jetët e tyre”, shtoi ajo.

Von der Leyen shpjegoi se gjatë dy javëve të fundit, shumë prej nesh e kanë parë se Covid 19 është ringjallur duke infektuar disa nga miqtë tanë të ngushtë, bashkëpunëtorët, anëtarët e familjes ose të dashurit tanë.
“Numrat në rritje të shpejtë të rasteve po i ngarkojnë spitalet dhe punonjësit tanë shëndetësorë gjithnjë e më shumë. Mbi të gjitha, varianti i ri kërkon vëmendjen tonë maksimale. Por unë jam i bindur se BE-ja është në lartësinë e detyrës për të trajtuar këto sfida.”, shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë