Politike

Berisha nga Tropoja: Basha të dorëhiqet, do përmbyset si tradhtar me gjithë Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer në Tropojë pas disa vitesh, ku ka mbajtur Foltoren e radhës me demokratët e qytetit verior.

Nga vendlindja e tij, ai sulmoi kreun e PD Lulzim Basha dhe kryeministrin Rama, të cilët i akuzoi si bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Berisha theksoi se dyshja Rama-Basha po tentojnë të bashkëqeverisin, por sipas tij demokratët do t’i përmbysin si tradhtarë në një kohë sa më të shpejtë.

“Basha, me një grusht vasalësh po përpiqet që të mbledhë firma, duke ofruar poste drejtorash dhe zv. ministrash në kabinetin e Edi Ramës. Ky është akti i fundit i turpit. U themi që të futen në qeveri, por do t’i përmbysim si tradhtarë së bashku në një kohë sa më të shkurtër”.

Lideri historik demokrat tha se PD është në prag të një ngjarjeje historike, të rithemelimit të PD-së me firmat e anëtarëve të saj, “sepse udhëheqja është marrë peng”.

Ai shtoi se do të rithemelojë pluralizimin, “sepse pa opozitë të fortë nuk ka pluralizëm të fortë. Ne do të jemi opozitarë të vërtetë”.

Ish-kryeministri deklaroi se Basha ka rënë vetë me “të dyja këpucët” në dosjet “Toyota Yaris” dhe “Muzin”.

Ai u shpreh se kryeopozitari i ka gënjyer demokratët, “prandaj duhet të japë dorëheqjen”. Të njëjtën gjë sipas Berishës duhet të bëjnë edhe drejtuesit e pazgjedhur në Partinë Demokratike.

Përndryshe, paralajmëroi Berisha, Kuvendi i PD-së më 11 dhjetor do të marrë të gjitha masat e nevojshme që duan anëtarët që ta shndërrojnë selinë blu në shtëpinë e lirisë.

Berisha nënvizoi se në Kuvendin e 11 Dhjetorit do të kalojnë shumë ndryshime statutore që në thelb kanë sjelljen e pushtetit tek vetë qytetarët.

Ai paralajmëroi që do të kalohet një nen në statut që do të quhet neni “Basha” dhe në të cilin parashikohet që nëse kryetari humb zgjedhjet ai do të largohet pa asnjë diskutim.

Po ashtu Berisha tha se në statutin e ri, zgjedhjet për deputetët dhe kandidaturat për deputet do të bëhen nga anëtarësia dhe mbështetësit e PD-së.

Nga Tropoja, ai i dërgoi një mesazh edhe presidentit serb Vuçiç, që ta harrojë se do të kalojë me firmën e Ramës Ballkanin e Hapur në Shqipëri.

Ai tha se Vuçiç duhet të mendohet mirë para se të mësyjë Tiranën si mik i Edi Ramës, “sepse një popull i tërë do të jetë në rrugë kundër teje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë