Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz njoftoi më 2 dhjetor se po tërhiqet nga politika, pothuajse dy muaj pasi dha dorëheqjen nga detyra e kancelarit.
Kurz ishte i përfshirë në një skandal korrupsioni.
Njoftimi për tërheqje nga politika përmbyllë karrierën e Kurzit i cili u bë kancelar në moshën 31 vjeçare, si kreu më i ri i ndonjë qeverie i zgjedhur në mënyrë demokratike, në vitin 2017.
“Për mua fillon kapitull i ri në jetën time”, tha 35 vjeçari duke shtuar se do të donte të kalonte më shumë kohë me familje, sidomos të birin e sapolindur.
Kurz tha se nga 3 dhjetori do të dorëzojë edhe drejtimin nga Partia e tij konservatore, Popullore (OeVP).
“Vendimi nuk ishte i lehtë për mua”, tha ai në një konferencë për media duke shtuar se beteja e tij me pohimet për korrupsion kanë lënë pasoja tek ai dhe e zbehën pasionin për politikë.
Akuzat për korrupsion Kurz i ka mohuar që nga fillimi, derisa më 2 dhjetor përsëriti që shpreson të ketë rast që të dëshmojë pafajësinë e tij në gjykatë.
Akuzat për korrupsion u publikuan në tetor, kur Prokuroria urdhëroi bastisje në kancelarinë e shtetit dhe Ministrinë e Financave derisa hetohej që rrethi i ngushtë i ish-kancelarit shfrytëzoi paratë publike për të paguar sondazhe që do të përmirësonin imazhin e tij.
Sipas Prokurorisë së Austrisë, Kurz dhe nëntë individë të tjerë, sikurse edhe tre organizata janë duke u hetuar lidhur me këtë skandal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje