“Për dhjetë vjet Republika ka qenë mbi gjithçka për mua. Kur lindi djali im, kuptova sa gjëra të bukura dhe të rëndësishme ka jashtë politikës”.
Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz e motivoi kështu, me arsye rreptësisht personale dhe shumë në hap me kohën, vendimin për të dhënë dorëheqjen si president dhe lider parlamentar i Partisë Popullore Austriake (Övp).
Kuptimi i vendimit të tij, megjithatë, u bë më i qartë disa orë më vonë, kur pasardhësi i tij si kancelar, dhe shoku i partisë Alexander Schallenberg njoftoi gjithashtu dorëheqjen e tij: “Jam i bindur se të dy zyrat, kreu i qeverisë dhe presidenti federal i partisë më të madhe në Austri, së shpejti duhet të bashkohen në një dorë”, tha ai.
Në mbrëmje pasoi tërheqja e ministrit të Financave, Gernot Bluemel: “Dorëheqja e Kurz nga të gjitha funksionet politike ishte shtysa përfundimtare për vendimin tim”, shpjegoi ai.
Nga ana personale, në zgjedhjen e 35-vjeçarit Kurz, ka vetëm ndërgjegjësimin për të mos pasur më mbështetjen e partisë së tij apo mundësinë e marrjes mbrapsht të postit të kancelarit.
Lamtumira e dyfishtë, është fillimi i epokës post-Kurz, përpjekja për të rifilluar një Parti Popullore “të Re”, siç e quante Schallenberg, duke shpresuar të linte pas kolapsin e sondazheve mbi akuzat për korrupsion që detyruan Kurz të largohej nga qeveria dy muaj më parë. Dhe në vend të tij, kishin ardhur Schallenberg, atëherë ministër i Jashtëm.
Tashmë në të dyja rolet, kancelar dhe drejtues të Övp-së, ministri aktual i Brendshëm, Karl Nehammer, 49 vjeç, pritet të marrë detyrën. Një “ushtar” me përgatitje (është toger në ushtri dhe ish-pedagog i mbrojtjes) dhe nga Partia Popullore: i rritur politikisht në Austrinë e Poshtme, nga e cila është me origjinë, ka qenë gjithmonë besnik ndaj aparatit. Por ai ka edhe besimin e Kurzit, figura e duhur për të menaxhuar ndryshimin e pushtetit brenda partisë.
Me kusht që të Gjelbrit të mos e pengojnë: qëndrimet e tij të ashpra për emigracionin nuk e bëjnë atë të dashur nga aleatët e qeverisë Övp.
Pavarëisht nga ky “tërmet politik”, në Austri mbetet shëmbëlltyra e hidhur e Kurzit, “djaloshit të mrekullueshëm” të politikës austriake pvarëisht nga një fund i parakohshëm i tij.
Nënsekretari më i ri në historinë austriake në moshën 24-vjeçare, ministri më i ri i Jashtëm në moshën 27-vjeçare, udhëheqësi më i ri i Övp-së në moshën 30-vjeçare dhe kancelar në moshën 31-vjeçare, tani ai është gjithashtu pensionisti më i ri ngurrues në politikën austriake.
Një ditë më parë, ai i quajti akuzat për korrupsion (duke përdorur paratë publike për të ndikuar në media në favor të tij), një “gjueti” dhe premtoi se do të provonte pafajësinë e tij. Ndërkohë e pret djali i tij Konstantini 5 ditësh.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje