Bota

Boris Johnson nën akuzë, festoi me stafin Krishtlindjet e fundit me Anglinë të izoluar nga Covid

Për një javë Boris Johnson është përpjekur – pa sukses – të shkundë skandalin e fundit që minon besueshmërinë e tij. Por polemikat nuk tregojnë asnjë shenjë zbutjeje. Gazeta “Daily Mirror”, zbuloi se dy festa të Krishtlindjeve u mbajtën në Downing Street (selia e qeverisë britanike) në dhjetor të vitit të kaluar, në një kohë kur rregulloret anti-Covid e ndalonin.

Stafi, i veshur me pulovra Krishtlindjesh, ishte mbledhur për të shkëmbyer dhurata dhe dolli me bollëk, ndërsa pjesa tjetër e vendit, u urdhërua të shmangte festimet. Me pak fjalë, një rregull për “Pallatin” dhe një tjetër për njerëzit e zakonshëm.

Prej ditësh, ministrat dhe zëdhënësit janë ngatërruar në justifikime të pamundura: mohojnë se ishte një festë e vërtetë dhe këmbëngulin se rregullat janë respektuar.

Por ndërhyrja e ministrit të Drejtësisë, Dominic Raab, ka ngritur shumë dyshime, i cili argumentoi se nuk duhen hetuar prova të vjetra prej 12 muajsh.

Ministri u kundërshtua nga vetë nënsekretari i tij, i cili kujtoi se është detyrë e policisë që të merret me krimet e kaluara dhe nuk përjashtoi një hetim, ndërsa ritheksoi se sipas tij, nuk ka pasur shkelje të dispozitave në fuqi.

Johnson është nën presion nga shumë palë për të hapur një hetim dhe përfaqësuesi i të Gjelbërve në Dhomën e Lordëve, i shkroi organit mbikëqyrës të policisë për të denoncuar një “operacion të mundshëm mbulimi” nga Scotland Yard )Policia Britanike), e cila do të ishte kompetente për rastin.

Nga zyra e kryeministrit, pretendojnë se asgjë nuk ka ndodhur, madje njoftojnë se do të vazhdojnë me “ngjarjet e festave” të planifikuara në periudhën e ardhshme të Krishtlindjeve.

Por e gjithë polemika është një burim turpi politik për kryeministrin, sepse javën e ardhshme, ai mund të shpallë kufizime të reja për të parandaluar përhapjen e variantit të Covid, ‘Omicron’.

Por si do t’i vendosë kryeministri britanik ndalesat ndaj popullatës kur ai ishte i pari që i shkeli ato? Në një vend ku respektimi i rregullave, që nga fillimi i pandemisë, i është besuar gjithmonë bashkëpunimit spontan të qytetarëve dhe jo kontrolleve reale, rreziku është që këtë herë opinioni publik të përgjigjet me një zemërim të justifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë