Politike

Hipotekat me një klikim, Rama: Brenda mandatit synojmë të digjitalizojmë titujt e pronësisë

Objektivi i vendosur nga Qeveria ishte mbyllja e sporteleve fizike të aplikimit për tituj pronësie dhe legalizimet, duke kaluar ofrimin e këtyre shërbimeve online përmes platformës e-Albania.

Sipas Kryeministrit Edi Rama ky objektiv u realizua dhe sportelet e këtij llojit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të mbyllen.

“Revolucioni digjital vazhdon, sepse sot ne kemi mbyllur ciklin e fazës së aplikimit, pra sot nuk ka nevojë të lëvizësh nga shtëpia për të kërkuar një shërbim, sepse aplikon drejtpërdrejtë dhe ndërkohë po punojmë për të mbyllur ciklin dhe në fazën e dorëzimit online të shërbimit. Për shembull, sot nuk ka nevojë të shkosh në çtër fizikisht për të aplikuar për një shërbim prandaj edhe Kadastra do mbyllet si sportel, nuk do ekzistojë më për të aplikuar”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh nga Shkodra, ku u ndal në takimin e radhës me qytetarët në kuadër të nismës së bashkëqeverisjes, se digjitalizimi do të shmangë kontaktet fizike e rrjedhimisht do të reduktojë korrupsionin.

“Kështu të gjithë sekserët dhe të gjithë kanalet e llumit ku qytetarët kanë qenë edhe janë sot e gjithë ditën të detyruar të kalojnë për të zgjidhur halle me Kadastrën, nuk do kenë më mundësi, por në ndërkohë, nëse sot ti aplikon për të marrë një titull pronësie ende nuk është e mundur që përgjigjen ose më saktë titullin e pronësisë ta marrësh po në kompjuter apo në telefon, pra ta marrësh online, duhet ta marrësh fizikisht”, tha ai.

Në fund, Rama dha edhe objektivin e radhës në këtë fushë.

“Hipoteka të vijë në telefon për një minutë, mos përplasesh për titullin e pronësisë nga të katra anët. Te hipoteka do të fusim teknologjinë më të fundit blockchain, që është teknologjia më e lartë e sigurisë, që nuk do të ketë mundësi kush që të ndërhyjë te letrat, titujt dhe hartat e pronave. Nga letrat do të kalojë e gjitha në blockchain”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë