Bota

SHBA, Biden mbështet aspiratën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO

Presidenti amerikan Joe Biden, mbështet aspiratën e Ukrainës për t’u bërë anëtare e NATO-s. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke raportuar se në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski, Biden ka përsëritur se ai mbështet sovranitetin e Kievit dhe se agresioni në këtë rast është në anën ruse.

Shtëpia e Bardhë mohoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Ukrainës që t’i lëshojë pjesë të territorit Rusisë.

Në bisedën me Zelenskin, Biden sqaroi se “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të përkushtuar ndaj parimit të “asnjë vendimi apo diskutimi për Ukrainën pa Ukrainën”. Shtëpia e Bardhë tha se ishte e gatshme “të mbështesë masat e ndërtimit të besimit për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, në mbështetje të formatit të Normandisë”.

Sipas presidentit amerikan, vendosja e trupave ruse ishte një “agresion” kundër Ukrainës dhe origjinë e krizës aktuale. “Rusët janë të njohur për përshkallëzimin e tyre retorik dhe për përhapjen e dezinformatave”, shtoi Biden.

Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do t’i përgjigjen Moskës “me masa të forta ekonomike të tjera në rast të një ndërhyrjeje të mëtejshme ushtarake”.

Biden dhe Zelenski i bëjnë thirrje Rusisë “të zbusë tensionin” dhe bien dakord se “diplomacia është mënyra më e mirë për të bërë përparim të rëndësishëm në zgjidhjen e konfliktit”.

Joe Biden më pas ndërveproi me grupin e ‘Të Nëntëve’ nga Bukureshti (Rumania, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia dhe Sllovakia) i krahut lindor të Aleancës, “për të nënvizuar angazhimin e SHBA-ve për sigurinë transatlantike dhe angazhimin e shenjtë ndaj nenit 5 të NATO-s”, ai për mbrojtjen reciproke. Udhëheqësit diskutuan ndërtimin destabilizues të ushtrisë ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe nevojën për një pozicion të NATO-s, “të bashkuar, të gatshëm dhe të vendosur për mbrojtjen kolektive të aleatëve”.

Presidenti ukrainas falënderoi homologun e tij amerikan për “mbështetjen e vazhdueshme, vendimtare dhe të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial” të vendit të tij.

“Është bërë traditë që presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ukrainës, të kenë bisedime në një atmosferë shumë të sinqertë dhe të hapur. Biseda zgjati pothuajse një orë e gjysmë”, shpjegoi kreu i zyrës presidenciale të Zelenskit. Andrei Yermak. “Ukraina është një shtet absolutisht paqësor dhe nuk ka plane të sulmojë askënd. Ne vetëm duam të sjellim paqen në tokën tonë dhe të rikemi territoret tona dhe njerëzit tanë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë