Politike

Berisha mesazh demokratëve: I ftoj të gjithë nesër, përfshi Bashën dhe ata që mendojnë ndryshe

Ish kryeministri Sali Berisha përcolli një mesazh publik një ditë para mbajtjes së Kuvendit.

Në fjalën e tij, Berisha ftoi të gjithë demokratët që të marrin pjesë nesër në Air Albania, edhe ata që nuk janë dakord.

Një ftesë Berisha e kishte edhe për Bashën që e cilësoi kryetar në letër të PD-së.

“…Unë ftoj të themi dhe kryetarin në letër të saj, Lulzim Basha të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne të vijnë nesër në Kuvendin e rithemelimit. Ky Kuvend është për të gjithë demokratët. Mungesa nuk i përjashton ata nga kontributet në Partinë Demokratike në të ardhmen. Ftoj të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të cilët kanë mbështetur lëvizjen ose jo, të vijnë nesër në Air Albania për të ndjekur këtë moment të rëndësishëm të historisë, rivendosjen e pluralizmit dhe rithemelimin e Partisë Demokratike.

Për delegatët duhet që të marrin me vete kartën e identitetit dhe kartën e Partisë Demokratike, ndërsa për simpatizantët që nuk janë delegatë dokumente të tilla nuk janë të domosdoshme”, tha ndër të tjera Berisha.

Ai ftoi demokratët që të vishen trashë për shkak të temperaturave të ulta të motit.

“Me këtë mesazh dua t’ju ftoj ju të gjithë delegatëve dhe delegatet të Kuvendit të rithemelim të PD që keni firmosur ose nuk keni firmosur formularin, të jeni nesër të pranishëm. Të vendosni me votën tuaj të lirë rithemelimin e PD-së. Rithemelimin e forcës tonë politike, rikthimin e saj në shtëpinë e lirisë së demokratëve shqiptarë. Në një forcë politike të vlerave tradicionale të shoqërisë sonë. Në një forcë të vërtetë opozitare, të sigurt, që do të udhëheqë revolucionin paqësore të shqiptarëve. Si dikur përmbysëse e sistemit komunisti, sot në përmbysje të narko-shtetit. Rikthimin e votës së lirë për anëtarët, simpatizantët e PD brenda kësaj partie. Rikthimin e votës së lirë për Shqipërinë, shqiptarët në tërësi. Të dashur delegatë dhe delegate, moti është një faktor që nuk varet nga ne, me gjithë zjarrin dhe entuziazmin që keni nga brenda. Sugjerimi miqësor është që të vinim të përgatitur me veshje të trasha të mundur për mos të ndjerë të ftohtin. Natyrisht shiu nuk bie në zonën ku jemi ne si delegatë por klima është kjo që ju e shihni vetë”. tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë