Drafti i hartuar nga Presidenca sllovene në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Europian ka marrë miratimin e 26 vendeve të tjera anëtare të unionit. Ministrat përkatës për Çështjet Europiane kanë miratuar përfundimet për Shqipërinë me theksin e nevojës së ndëshkimit të korrupsionit në nivelet e larta.
Në konkluzionet thuhet se Këshilli mirëpret përparimin e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit, me reformën në drejtësi, që ka forcuar sipas KE luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, theksi vihet te lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ndëshkimit të autorëve përmes vendimeve përfundimtare.
“Strukturat e reja të specializuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë treguar tashmë rezultatet e para pozitive. Përpjekjet drejt krijimit të një rekordi solid duhet të vazhdojnë, duke përfshirë korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar nëpërmjet hetimeve proaktive dhe vendimeve përfundimtare dhe nëpërmjet zbatimit të mëtejshëm të planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar, siç duhet bashkëpunim me autoritetet përkatëse të shteteve anëtare”, thotë KE.
BE mbështet nismat e fundit të Qeverisë në lidhje me të drejtën e pronës.
“Këshilli shënon pozitivisht për përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të pronës, për të konsoliduar të drejtat e pronës dhe u bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë të ndjekin përpjekje të tilla, në mënyrë transparente duke zhvilluar konsultime me të gjithë aktorët përkatës, përfshirë adresimin e rasteve të falsifikimit të dokumenteve dhe avancimin me shpejtësi procesin e regjistrimit dhe dëmshpërblimit”, thotë dokumenti.
Vërejtje ka në fushën e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, ku Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të rifillojë përpjekjet për të bërë përparim të prekshëm në lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.
“Këshilli rithekson rëndësinë e garantimit që amendamentet në ligjin e medias të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, nëse ligji do të shqyrtohet më tej nga parlamenti.
Në fushën ekonomike, kërkohet vijimi i reformave strukturore, ndërsa në fushën e emigracionit vlerësohet ulja e kërkesave të pabazuara të azilkërkimit në BE, por theksohet vijimi i përpjekjeve për t’i parandaluar këto kërkesa që në burim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje