Bota

NATO, Stoltenberg paralajmëron: Duhet të jemi vigjilentë ndaj Rusisë

Muajt e fundit, Rusia ka përqendruar një arsenal të pazakontë ushtarak pranë kufirit të Ukrainës, i cili po merret seriozisht nga aleatët perëndimorë.

Tensionet mbi Ukrainën shënojnë një përkeqësim të ri të raporteve ndërmjet Rusisë dhe Aleancës Veri-Atlantike (NATO), që më herët ishin aq të mira, saqë Presidenti rus, Vladimir Putin kishte përmendur edhe mundësinë e bashkimit të vendit të tij në aleancën ushtarake.

Tensionet po ndihen prej ditësh: Rusia ka bllokuar pothuajse 70% të trafikut detar në Detin Azov, pranë gadishullit të Krimesë, një territor i “pushtuar” nga Moska që Ukraina vazhdon të pretendojë. Ndërkohë, Kremlini ka vendosur avionë, tanke, artileri, pikërisht në rajonin Kherson, gjithmonë në kufirin e Krimesë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg priti kryeministrin gjeorgjian Irakli Garibashvili në selinë e NATO-s të mërkurën (15 dhjetor). Ata diskutuan bashkëpunimin politik dhe praktik si dhe situatën e sigurisë në rajon.

“Sot diskutuam praninë ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës dhe aktivitetin e saj destabilizues në rajonin e Detit të Zi. Ne ramë dakord për nevojën për të qëndruar vigjilentë dhe për të shmangur përshkallëzimin. Çdo agresion rus në të ardhmen do të kishte një çmim të lartë dhe do të kishte  pasoja serioze politike dhe ekonomike për Rusinë”.

Në konferencën për shtyp me kryeministrin gjeorgjian, Stoltenberg përsëriti se, “ne vazhdojmë t’i kërkojmë Rusisë që t’i japë fund njohjes së rajoneve të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore dhe të tërheqë forcat e saj.”

Edhe kryeministri Mario Draghi shprehu mendimin e tij për Ukrainën, duke nisur nga marrëdhëniet e reja Rusi-SHBA: “Për Rusinë nevojitet politika e angazhimit, të cilën Putin e kërkoi gjatë takimit virtual me Biden, që tregon se dëshiron të jetë pjesë e vendimit të procesit, i cili nuk kërkon të shkëputet, por dëshiron të eksplorojë të gjitha mundësitë diplomatike për të arritur në një zgjidhje të ekuilibruar”. Sipas Draghit duhet mbajtur një linjë delikate: “Duhet të punojmë që ta mbajmë kështu, absolutisht të mos detyrojmë, të mos e ndërpresim këtë moment kontakti”.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin në një videokonferencë me presidentin kinez, Xi Jinping përcaktoi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës “një shembull i vërtetë i bashkëpunimit ndërshtetëror në shekullin 21”. “Jam i kënaqur me mundësinë që të flas me ju drejtpërdrejt, kjo na lejon të diskutojmë thellësisht zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, një partneritet gjithëpërfshirës dhe një ndërveprim strategjik”, vuri në dukje kreu i Kremlinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë