Partia Demokratike këmbëngul në kërkesën e saj që SPAK të mos ndalet vetëm me emrin e Lefter Kokës, Stela Gugalljas dhe Mirel Mërtirit në çështjen e incineratorëve, pasi sipas qëndrimit të opozitës, ky koncesion ka të gjitha elementët korruptive të një grupi të strukturuar kriminal me pushtet.
“Koncesioni i inceneratorëve i ka njerëz me pushtet që kanë shndërruar pushtetin e tyre për të përfituar para në mënyrë të paligjshme. Ka njerëz me para të pista që kanë përdorur paratë e tyre për të krijuar kompani offshore që pastrojnë ato para. Ka biznesmenë me lidhje me politikanë të korruptuar për të ngritur biznese fiktive. E gjithë skema e inceneratorëve nuk është vetëm se një hartë e operimit e një Grupi të Strukturuar Kriminal”, deklaroi nga Kuvendi, nënkryetarja dhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, që njëkohësisht drejton edhe Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur për hetimin e këtij koncesioni.
Tabaku tha se Lefter Koka nuk është i vetëm në këtë lojë dhe përmendi edhe emra deputetësh e politikanësh të mazhorancës, që sipas saj, janë të përfshirë në këtë aferë.
“Mjafton t’ju përmend se sot në bankën e të akuzuarve duhet të jetë edhe deputeti Alqi Bllako që është zbuluar se ka një lidhje korruptive sepse babai i tij ka përfituar miliona në formë nën-kontraktimi nga kompanitë e incineratorëve kur Bllako ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kokës. Mjafton të përmendim se Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj ka udhëtuar me Klodian Mirel Mërtirin dhe të tjerë ndërkohë që ai ka përfituar nga një kontratë që edhe Arben Ahmetaj e ka provuar 3 herë. Mjafton të kujtojmë që Sekretari Organizativ i PS-së, Damian Gjiknuri ka qenë edhe ai në udhëtime me Klodian Mirel Mërtirin dhe po ai ka dhënë dakordësinë për ndërtimin e këtyre incineratorëve. Madje ai ka dhënë dakordësinë edhe për shitjen e energjisë që ato gjoja do prodhonin”, deklaroi ai.
Përfshirja, sipas PD, shkon deri te Kryeministri Edi Rama.
“Doli personalisht në media për të mbrojtur këtë aferë korruptive dhe kriminale. Të gjithëve na kujtohet se si në resht për një i vendosi socialistët për t’i çuar tek inceneratori i Elbasanit që sot është “skenë krimi”. Prandaj sot, pakkush nga ne është i kënaqur jo vetëm sepse përditë e më shumë po zbulojmë që ka “hajdut dy metra” por sepse fatkeqësisht ky “hajdut dy metra” vazhdon të na bëjë rolin e njeriut që nuk di. Sot, përpos Lefter Kokës që është në burg e përpos Zotos, Gugalljas dhe Mërtirit që janë në kërkim duhet të kishim përpara drejtësisë gjithë grupin e strukturuar kriminal që ka vrarë mushkëritë e buxhetit me mbi 430 mln euro vjedhje dhe ato të shqiptarëve me plehrat që djeg”, u shpreh ajo.
“Sot, përpara drejtësisë duhet të ishin në rresht për një bashkësia e të korruptuarve duke nisur nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Qazim Sejdini dhe Armando Subashi. Janë pikërisht këto hallka të munguara të një hetimi që është ende i papërfunduar përderisa nuk ka përpara bankës së të akuzuarve këta persona përgjegjës për krimin në fjalë. Për mbi katër vite ky grup i strukturuar kriminal ka drejtuar çdo devijim të vëmendjes mediatike ndaj denoncimeve që PD ka bërë për inceneratorët”, vijoi Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje