Politike

Rezoluta e Kuvendit Kombëtar: Lëvizja e Berishës nul dhe antiamerikane, s’ka lidhje me PD

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha miratoi të shtunën në mesditë, rezolutën e Këshillit Kombëtar e hartuar një ditë para Kuvendit.

“Këshilli Kombëtar diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;

– Konstatoi se thirrja e këtij tubimi, me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike, dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimmarrjen e saj si institucion politik;

– Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;

– Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm, si finalizim isaj, janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend,  duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA”, thuhet në rezolutën e miratuar. Kuvendi vendosi gjithashtu se, “çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.

“Berisha për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e  deklaroi hapur në fjalën e tij Sali Berisha, hodhi dje bazat e një organizate politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do  të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e  Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës”, thuhet në rezolutën e miratuar .

Më tej thuhet se, “Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11  dhjetorit për shqetësimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me  axhendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe  vlerave të shenjta të Partisë Demokratike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë