Politike

Foto e video/ Të dy në PD, Basha: Berisha u përjashtua, rrugët me të janë ndarë. Berisha flet për skenarë destabilizues në oborrin e selisë: Së shpejti protesta

 

Pas leximit të rezultatit nga Albana Vokshi se referendumi e kishte shkarkuar me rreth 44 mijë demokratë dhe një mini konference të Sali Berishës në oborrin e selisë së PD, Kryetari i partisë, Lulzim Basha, në prani të anetarëve të kryesisë dhe disa delegatëve tha edhe njëherë se nuk e njeh referendumin, se Sali Berisha është përjashtuar nga Këshilli Kombëtar dhe grupi parlamentar, se Kuvendi mbylli një kapitull të së shkuarës dhe se nuk mbeshtet protesten e te henes nga Berisha.

Basha e theksoi disa here se e vetmja ngjarje e të shtunës ishte Kuvendi i thirrur prej tij.

“E bëmë këtë sepse shqiptarët prisnin nga ne ndryshimin, ndryshimin nga masakra zgjedhore. E presin ndryshimin sot nga ne, kam marrë mesazhe edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kanë parë sesi demokratët zgjedhin me qytetari dhe fisnikëri interesin dhe zgjedhin të lënë pas të shkuarën.

Sot PD është pastruar nga e shkuara dhe është më pranë qytetarëve”, tha ndër të tjera Basha. Kryetari i PD tha gjithashtu se lista e delegatëve do të bëhet publike të dielën.

Nderkohe Berisha u prit me heret në seli nga mbështetës dhe simpatizantë. Ai nuk u fut ne seli, por qendroi ne oborrin e selise, ku Albana Vokshi me pas njoftoi edhe rezultatin per cdo dege.

“Sot më 18 dhjetor në një akt madhor. Ndaj dhe unë dua të përulem në nderimin më të madh para dhjetëra dhe mijëra, më saktë para 44 mijë demokratëve që sot vendosën me votën e tyre në mënyrën më plebishitare largimin e peng Bashës nga drejtimi i forcës politike. Ky është ndëshkimi më i merituar që një person që trajton PD si një pronë të tij.”

Ai ftoi deputetët demokratë që mbështesin Bashën që të marrin listën e anëtarësisë dhe të kontrollojnë të gjithë emrat që kanë firmosur për shkarkimin e Lulzim Bashës.

“Të mos sillen njerëz pa vizion në politikë, një pjesë e mire e tyre kanë qënë zyrtarë të mitë dhe unë i njoh meritat por tjetër zyrtar dhe tjetër poiltikan, i ftoj të mos bëhen pjesë e një skenari më i turpshmi në histori.  Referendumi është një apel i madh për ndërgjegjen e tyre”, tha Berisha. Ish-kryeministri ftoi edhe kryetarët e degëve që të bëjnë të njëjtën gjë.

Më tej ai theksoi:

“I them Edi Ramës, i bindur të jesh se këtë revolucion as e ndalon as e mposht, por me këto që bën, duke marrë peng Lul bravën, duke ja mbush selinë me gardisë dhe Renea, ata nuk paguhen për të ruajtur Lul bravën, por për të ruajtur rendin dhe qetësin.

I them Ramës se revolucioni po troket në dyert e kalbura të ndërtesës tënde. Lëri lojërat dhe mos luaj me pluralizmin politik.

Ky revolucion është i gatshëm të çmontoje narkoshtetin, është i gatshëm të përballet në mënyrën më të fuqishme me çdo pengesë, nuk ka synim tjetër vetëm ti kthejë shqiptarëve votën e lirë.

Unë u bëj thirrje shqiptarëve, i bëj thirrje demokratëve dhe demokratëve ditën e hënë në orën 4 pasdite të mblidhemi para kryeministrisë dhe në këtë shesh në protestën e parë kombëtare, të shpallur jashtë parashikimit si kohë, por rrethanat e bënë të domosdoshme. Vucic do të pritet ashtu sic e meriton me protesta, pasi vjen këtu në kuadrin e një projekti të aleancës trilaterale. Kjo aleancë është kërcënim kombëtar për shqiptarët dhe për paqen. Kjo aleancë është për vendosje e hegjemonisë dhe hapje ndaj influencës ruse”.

Në anën tjetër, Basha ka mbledhur kryesinë e PD-së për të proceduar më tej pas vendimeve që u morën në Kuvendin Kombëtar  

Basha tha gjatë kryesisë se PD duhet të përgatitet për shtrirjen në terren me qëllim organizimin e partisë dhe përgatitjet për zgjedhje.

“Mirënjohje e jashtëzakonshme për sakrificën tuaj në kushte të jashtëzakonshme. Pavarësisht gjithçkaje, 5004 delegate te pranishëm ishin për shkak te sakrificës shumë të madhe të demokrateve.

Përgatitje për shtrirje në terren në funksion të organizimit të partisë dhe përgatitjen e partisë për zgjedhje”.

.

Paralelisht Basha hodhi edhe nje video ne Twitter.

Pas më shumë se 6 orë punimesh, Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha, mbylli punimet mbasditen e vonë të së shtunës. Në atë Kuvend u vendos që Sali Berisha të përjashtohet nga strukturat drejtuese të partisë, pra nga anëtar i Këshilli Kombëtar, por u la evazive se cfarë do të bëhet me mandatin e deputetit, u miratua një rezolutë që e shpallin lëvizjen e Berishës antiamerikane dhe nul, nuk njohu referendumin e miratuar nga 11 dhjetori dhe për pasojë edhe procesin për shkarkimin dhe ngriti një strukturë të re paralele; Aleanca për qytetarin në PD. 

Paralelisht me Kuvendin kryesisht në ambiente me qira në bare dhe restorante është zhvilluar edhe referendumi i thirrur nga Kuvendi i 11 dhjetorit që ka si qëllim shkarkimin e Lulzim Bashës nga baza, pas vendimit që u mor në Kuvendin e javës se kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë