Politike

Nis protesta kundër Ballkanit të Hapur, Berisha dhe mbështetësit para Kryeministrisë

Ka nisur protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër Ballkanit të Hapur dhe veçanërisht presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Shumë mbështetës të Berishës ishin mbledhur në selinë e Partisë Demokratike, ku mbërriti edhe lideri historik i kësaj force politike.

Më pas nisi marshimi nga selia e PD drejt godinës së Kryeministrisë, ku ishin mbledhur edhe disa persona të tjerë. Sipas agjendës së paracaktuar, në protestë do të flasin disa personalitete, si Aldo Bumçi, Albana Vokshi, ish-presidenti Bujar Nishani, Belind Këlliçi, Edit Harxhi, Ylli Manjani dhe në fund Berisha.

Pak para nisjes së tubimit të paralajmëruar prej tij, ish-kryeministri Berisha dha dhe një deklaratë për media.

Ai tha se kjo protestë është kundër aleancës triraterale, Beograd-Tiranë dhe Shkup, e cila i kundërvihet sipas tij nismës së Berlinit.

“Sot bashkohen në protestën e tyre të parë më të fuqishme në mbrojtje të interesit të tyre kombëtar të shkelmuar nga regjimi, kreu i meduzës Edvin Rama. Protesta është kundër aleancës triraterale, Beograd me vasalët e tij, Tiranë-Shkup dhe nuk është aspak kundër bashkëpunimit rajonal.

Është kundër kësaj aleance të mishëruar Ballkani i Hapur dhe refuzohet në mënyrë të prerë nga tre vende të tjera të Ballkanit. Kemi të bëjmë me një qëndrim në mbrojtje të interesit kombëtar. Kjo nismë i kundërvihet në mënyrë flagrante nismës së Berlinit e frymëzuar nga Aleksandër Vuçiçiç dhe Edvin Kristaq Rama. Ballkani i Hapur u themelua nga Aleksandër Vuçiç, por nëse ka diçka të rëndë. Simboli kuq e zi është simboli i përhershëm i shqiptarëve”, tha Berisha.

Protestën e sotme Berisha e paralajmëroi në kuvendin kombëtar të PD, më 11 dhjetor, ndërsa gjithmonë është shprehur kundër kësaj nisme. Madje Berisha pretendon se qëndrimi i tij kundër Ballkanit të Hapur dhe ndryshimeve të kufijve të Kosovës, është bërë shkas edhe për shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë