Politike

Varhelyi ‘bekon’ Ballkanin e Hapur: Adreson problemet e qytetarëve ballkanas

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi përshëndeti samitin e Tiranës në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe nxiti udhëheqësit që të ecin përpara me këtë nismë brenda kornizës së Procesit të Berlinit.

Varhelyi mbajti fjalën përmes një komunikimi online.

“Kam qenë gjithmonë i prirur pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt Minishengen e më pas u përpoqëm me Procesin e Berlinit, por për fat të keq kjo nismë u la mënjanë dhe ndërkohë e konsideroj ‘Ballkanin e Hapur’ një pasardhëse, apo një zëvendëse deri sa të gjithë të jenë rreth tryezës. Ju duhet të vazhdoni ta nxisni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë sa i takon ekonomisë, shoqërisë dhe rajoni kërkon të jetë bashkë, siç jemi ne në BE”, tha ai.

Komisioneri theksoi se nisma adreson në rrugën e duhur shqetësimet e përbashkëta që kanë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj. Ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën. Mund të më përfshini si mbështetës të ‘Ballkanit të Hapur’. Ne mendojmë që në bazë të rregullave të BE, çdo bashkëpunim rajonal jo vetëm është i mirëpritur, por është në të mirë të të gjitha palëve”, tha ai.

Varhelyi e mbylli mesazhin duke çuar një mesazh për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjen.

“Ftoj 3 vendet e tjera t’i bashkohen kësaj nisme. Mund të ndryshojë realitete në terren që janë shumë të zymta dhe vetëm përmes bërjes konkrete të tregu të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 e PBB ekzistuese dhe kjo është shumë afër vetëm duke zbatuar tregun e përbashkët rajonal. Unë uroj që t’i bashkohen sa më shpejt edhe 3 vendet e tjera”, u shpreh Komisioneri.

Komisionari i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi tha se mbështet nismën ‘Open Balkan’, duke theksuar se e sheh atë si pasardhës të Procesit të Berlinit. Varhely u shpreh se tregu i përbashkët rajonal do të sjellë zhvillim ekonomik, teksa i kërkoi liderëve të tre vendeve që të vijojnë të nxisin këtë nismë. Edhe njëherë Varhelyi i kërkoi 3 vendeve që nuk i janë bashkuar kësaj nisme, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës që t’i bashkohen sa më shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë