Brukseli ka nisur këtë të mërkurë procedurat ligjore kundër Polonisë në lidhje me përplasjen për përparësinë e ligjeve të BE-së kundrejt atyre të vendeve anëtare. Në tetor, Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi se anëtarësimi i vendit në BE nuk u jep gjykatave të bllokut autoritetin suprem ligjor.
Vendimi ndezi zemërim në Bruksel dhe dëmtoi më tej marrëdhëniet tashmë të trazuara të Polonisë me shefat e BE-së. Të mërkurën, Komisioni Europian tha se kishte “shqetësime serioze” lidhur me vendimin dhe tha se kishte filluar një “procedurë shkeljeje”.
Komisioni mendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake ishte në shkelje të traktateve të BE-së dhe u mohon individëve para gjykatave polake “të drejtën për mbrojtje efektive gjyqësore”. “Më në fund, Komisioni ka dyshime serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese”, shtohet në deklaratë.
Penalitet ndaj Poloniasë mund të variojnë, nga gjoba e majme prej 1 milionë eurosh në ditë, të pezullimi i fondeve të parashikuara në buxhetin e vitit të ardhshëm të BE-së, përfshirë këtu edhe fondet për pandeminë dhe rimëkëmbjen, e deri te pezullimi i së drejtës së votës.
Në fillim të tetorit, Gjykata Kushtetuese polake refuzoi supremacinë e ligjeve të BE mbi ligjet e vendeve anëtare. Vendimi i saj tha se pjesë të ligjit të BE nuk përputheshin me Kushtetutën vendase. Çështja u çua në Gjykatën Kushtetuese nga kryeministri Mateusz Moraëiecki, si përpjekje për t’u ndaluar gjyqtarëve polakë që të përdornin ligjet e BE-së për të sfiduar ndryshimet e propozuara prej qeverisë së tij në sistemin e drejtësisë.
Sherri ka lënë pezull edhe disbursimin nga Komisioni të 57 miliardë eurove, pjesë e fondeve të rimëkëmbjes nga Covid për Poloninë. Polonia akuzoi Bashkimin Europian se po e shantazhon në një debat të nxehtë që ndodhi mes kryeministrit Mateusz Moraëiecki dhe Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen në nëntor.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake vë në pikëpyetje themelimin e BE dhe është një sfidë e drejtpërdrejt ndaj unitetit të sistemit ligjor europian. Është hera e parë që një gjykatë e një vendi anëtar vendos se traktatet e BE nuk përputhen me Kushtetutën e një vendi anëtar”, tha Presidentja e KE, Ursula von der Leyen.
Presidentja von der Leyen tha se Komisioni do të veprojë për të mbrojtur vlerat e BE-së, duke nënkuptuar aktivizimin e një mekanizmi që mund t’i heqë Polonisë të drejtën e votës në BE, e deri te marrja e paralajmërimit për përjashtim.
Si kundërpërgjigje, kryeministri polak e cilësoi deklaratën si “gjuhë kërcënuese” dhe akuzoi BE se po tejkalon kompetencat e veta.
“Epërsia e ligjit europian nuk shtrihet në sistemet kushtetuese. Kushtetuta polake është ligji më i lartë në Poloni dhe qëndron mbi të gjitha ligjet e tjera”, u përgjigj kryeministri polak, duke cituar se në të shkuarën vendime të tilla kanë dhënë edhe gjykatat kushtetuese të Gjermanisë, Francës, Danimarkës, Spanjës, Italisë dhe Rumanisë.
Polakët mbështesin masivisht qëndrimin në BE, sipas sondazheve, por qeveria e djathtë në pushtet është përplasur vazhdimisht me BE prej 2016 në lidhje me të drejtat e komunitetit LGBT dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje