Zyrtarët amerikanë kanë thënë se bisedimet mund të zhvillohen në janar për të folur mbi grumbullimin e trupave ruse pranë Ukrainës, pasi Presidenti Vladimir Putin deklaroi se shpresonte për një takim në Gjenevë.
Udhëheqësi rus ka kërkuar garanci të menjëhershme për të ardhmen e NATO-s për të zbutur krizën.
“Topi është në fushën e tyre, ata duhet të na japin një përgjigje”, tha Putin në konferencën e tij vjetore për shtyp.
Ai ka kërcënuar me masa ushtarake, por mohon planet për të pushtuar Ukrainën.
Zyrtarët e sigurisë të Ukrainës thonë se më shumë se 100,000 trupa ruse janë dërguar pranë kufijve të saj dhe SHBA-ja e ka kërcënuar Putinin me sanksionet më të ashpra, nëse Ukraina vihet nën sulm.
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë refuzuan t’i përgjigjen kërkesave thelbësore të Presidentit rus që NATO të braktisë të gjitha aktivitetet ushtarake në Europën Lindore dhe të mos pranojë Ukrainën si anëtare.
“Jeni ju që duhet të na jepni garanci dhe t’i jepni ato menjëherë”, tha Putin të enjten, duke theksuar se masat ushtarake nuk ishin zgjedhja e tij e preferuar.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se megjithëse nuk kishte asnjë marrëveshje përfundimtare për bisedimet diplomatike, SHBA-ja po punonte drejt tyre dhe po i priste me padurim.
Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, tha se ajo përshëndeti faktin që Moska “ka sinjalizuar se është e gatshme të hyjë në bisedime në janar”, por paralajmëroi se çdo sulm rus do të përballet me sanksione që do të godasin ekonominë e Rusisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje