Kryeministri Edi Rama thotë se do të këshillohet me qytetarët në mandatin e tretë qeverisës për vendimmarrjet me rëndësi të qeverisë që drejton. Nisma e njoftuar në prag Krishtlindjesh u cilësua nga ana e kreut të qeverisë si “futja e një shpirti referendar për vendimet strategjike”.
Por për çfarë do të pyeten shqiptarët? Disa prej tematikave që sipas Ramës do të merret mendimi i qytetarëve u njoftuan në konferencën për shtyp të Kryeministrit pas vendimeve të Qeverisë. Ato përfshijnë fillojnë që nga Ballkani i Hapur, megjithëse në këtë nismë Shqipëria ka nënshkruar disa marrëveshje që hyjnë në fuqi nga 1 janari 2022, te legalizimi i kanabisit, evazioni fiskal, pagat fiktive të punonjësve në sektorin privat, pensionistët, e deri te vaksinimi i detyruar.
Në lidhje me Ballkanin e Hapur, Rama tha se nuk është vonë për të pyetur qytetarët. Ai e pranoi se ka një pjesë të zëshme të shoqërisë kundër pjesëmarrjes në këtë nismë dhe se këshillimi do të ndihmojë nëse kjo pjesë është shumicë apo jo. Megjithatë, Rama nuk e shtjelloi më tej nëse në këtë rast Shqipëria do të tërhiqet apo jo nga Ballkani i Hapur.
Këshillim do të merret edhe në lidhje me informalitetin, pagat fiktive të punonjësve në sektorin privat dhe për ashpërsimin e ndëshkimit për biznesin e madh kur kapet duke iu shmangur taksave. Çështja e pagave është vënë në qendër të vëmendjes dhe diskutimeve të publikut pas rrjedhjes në publik të listëpagesave të më shumë se 690 mijë shqiptarëve.
Qytetarët, tha Rama do të pyeten edhe në lidhje me ashpërsimin e dënimeve për krimet dhe abuzimet ndaj fëmijëve, integrimin dhe mendimin nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut, apo jo, megjithëse ky vendim nuk është në dorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe çështje të tjera të ndjeshme për publikun.
Kryeministri tha se nisma e këshillimit kombëtar ndërmerret në kuadër të zotimit të qeverisë për të qeverisur në emër të të gjithë qytetarëve.
“Duhet të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për të ndarë partitë dhe llogoret nga e ardhmja, se të gjitha këto bëhen në emër të së ardhmes, por vetëm për të ardhmen nuk kanë lidhje beteja për brava, kërcënimet me çelsa dhe shqyerja e dyerve me kriminelë. Këto nuk kanë lidhje me Shqipërinë”, u shpreh ai.
Rama e konsideroi këtë një revolucion që do të ndërmerret çdo vit.
Si do të organizohet këshillimi?
“Me një pyetësor të cilin do ua vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve brenda apo jashtë vendi, do t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku do të thithim mendimi ne tyre për çështje me rëndësi strategjike për vendin, për ekonominë, për shoqërinë”, shpjegoi Rama.
Nisma tingëllon e ngjashme me “Shqipërinë që Duam”. Megjithatë, Rama shpjegoi se nisma për këshillim kombëtar shkon përtej, ndërsa shtoi se asnjëherë nuk është vonë për të pyetur njerëzit.
“Shqipëria që duam është histori suksesi dhe me ligjin e ri të bashkëqeverisjes kalon në një nivel tjetër. Kjo është një nismë përtej kësaj. Është një shpirt referendar në mënyrën e marrjes së vendimeve të rëndësishme në qeverisjen e vendit. Nuk është asnjëherë vonë për të pyetur njerëzit, mbase do të pyesnim njerëzit po ta kishim këtë instrument më parë”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje