Rritja mbarëbotërore e rasteve të koronavirusit e nxitur nga varianti i ri omicron është goditja më e fundit për spitalet, për policinë, supermarketet dhe operacionet e tjera kritike që luftojnë për të mbajtur qëndrueshmërinë e situatës.
Qeveritë kanë ndërmarrë hapa për të frenuar përhapjen e infeksioneve në një sërë punësh që konsiderohen thelbësore për shoqërinë. Por infermierët dhe punëtorët e tjerë shqetësohen se problemet e vazhdueshme të personelit do ta vënë publikun në rrezik më të madh dhe do të rrisë lodhjen në radhët e tyre.
“Para punës, kam një ankth shumë të keq. Nëse do të jem i lirë për dy ditë, do të jem në ankth sepse nuk e di se si do jenë pacientet e mi,” tregon një infermiere.
Disa vende kanë reduktuar kohëzgjatjen e karantinave të Covid-19 për të lehtësuar mungesën e personelit duke i lënë njerëzit të kthehen në punë më shpejt pasi janë testuar pozitivë ose janë ekspozuar ndaj virusit.

Ndërkohë, në SHBA, kanë thirrur qindra anëtarë të Gardës Kombëtare, për të ndihmuar në plotësimin e boshllëqeve në spitale dhe shtëpi pleqsh, ku ata shërbejnë ushqime, transportojnë pacientë dhe bëjnë punë të tjera jo-klinike.
“Nuk ka mjaft infermierë për të bërë punën siç duhet dhe kështu ka situata ku njësitë kanë kushte të rrezikshme, ku pacientët janë në rrezik,” tha Carl Ginsberg, një zëdhënës i Shoqatës së Infermierëve të Shtetit të Nju Jorkut prej 42,000 anëtarësh.
Rritja e rasteve ndoshta do të vazhdojë deri në mes të janarit, thonë ekspertët.
“Nuk do të duhej shumë për të shkaktuar një krizë,” tha David Oliver, një mjek konsulent në një spital në Anglinë juglindore.
Edhe bizneset e vogla si restorantet dhe sallonet e bukurisë, të cilat nuk konsiderohen domosdoshmërisht thelbësore, po përgatiten të shkurtojnë më tej orët, ose të mbyllen shkurtimisht nëse mungesat e punëtorëve përkeqësohen.
Daniel Schneider, një profesor i Harvardit i fokusuar te punëtorët me të ardhura të ulëta, tha se publiku duhet të ketë parasysh se punëtorët thelbësorë thjesht nuk e kanë luksin për të punuar nga shtëpia, siç bëjnë disa dhe ata duhet të mbrohen më shumë.
Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje