Rusia ka goditur gjigantët e teknologjisë Google dhe Meta me gjoba të mëdha për dështimin e tyre për të fshirë përmbajtjen e ndaluar nga ligji vendas.
Ajo gjobiti Google gati 100 milionë dollarë (88.4 milionë euro) dhe kompaninë mëmë të Facebook, Meta, 27 milionë dollarë (23.9 milionë euro) pasi rriti presionin mbi kompanitë e internetit.
Gjykata e Qarkut Tagansky në Moskë vendosi që Google në mënyrë të përsëritur neglizhoi heqjen e përmbajtjes së ndaluar.
Google tha se do të studionte dokumentet e gjykatës përpara se të vendoste për hapat e saj të ardhshëm.
Gjykata vendosi gjithashtu një gjobë administrative prej 27.2 milionë dollarësh ndaj Metës për mos heqjen e përmbajtjes së ndaluar.
Autoritetet ruse kanë rritur vazhdimisht presionin mbi platformat e mediave sociale, duke i akuzuar ato për dështim në pastrimin e përmbajtjeve që lidhen me abuzimin me drogën, armët dhe eksplozivët.
Në fillim të këtij viti, autoritetet kritikuan kompanitë e teknologjisë për mos fshirjen e njoftimeve për protesta të paligjshme në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.
Gjykatat ruse më parë vendosën gjoba më të vogla për Google, Facebook dhe Twitter këtë vit. Vendimet e gjykatës së Moskës të së premtes shënuan herën e parë që madhësia e gjobës u llogarit në bazë të të ardhurave.
Autoritetet ruse kanë kërkuar gjithashtu që gjigantët e huaj të teknologjisë të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve rusë në serverët në Rusi, duke i kërcënuar ata me gjoba ose ndalime të mundshme nëse nuk respektojnë.
Alexander Khinshtein, kreu i komitetit për politikat e informacionit në dhomën e ulët të parlamentit rus, tha se gjoba masive duhet të dërgojë një mesazh të qartë për të gjithë gjigantët e IT.
Ai shtoi se ligji rus parashikon forma të tjera dënimi për moszbatimin e urdhrave të gjykatës, duke përfshirë ngadalësimin e trafikut dhe bllokimin e plotë.
Burimi: Euronews/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje