Policia britanike arrestoi një person të armatosur në territorin e Kështjellës Windsor në Britani të Madhe. Agjentët e Thames Valley, thanë se i ndaluari, një 19-vjeçar nga Sauthamptoni, hyri në park në mëngjesin e Krishtlindjeve, rreth orës 8:30 të mëngjesit dhe u ndalua “në momentet para se të mund të hynte në pronë”. Tani i riu ndodhet në burg.
“Personi u arrestua me akuzën e shkeljes në një zonë të mbrojtur, ai posedonte armë dhe do të mbetet në paraburgim për momentin”, tha kryeinspektorja e policisë, Rebecca Mears.
“Mund të konfirmojmë se proceset e sigurisë, u aktivizuan kur burri hyri në park dhe nuk ishte në gjendje të futej në asnjë ndërtesë”.
Janë njoftuar edhe anëtarët e familjes mbretërore, të cilët ndodheshin në kështjellë vetëm për Krishtlindje. Mbretëresha Elizabeth II, po kalon pushimet e Krishtlindjeve në Windsor, pasi ka vendosur të mos qëndrojë në Sandringham, pasuria mbretërore në Anglinë lindore, ku ajo tradicionalisht i kalon pushimet me familjen e saj.
Gjithashtu, nga Windsor ditët e fundit ajo regjistroi fjalimin e saj tradicional të Krishtlindjeve, në të cilin këtë vit kujtoi bashkëshortin e saj Philip, i cili vdiq në vitin 2021 në moshën 99-vjeçare.
Charles, Camilla dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore që kaluan Krishtlindjet me të, u fotografuan më vonë gjatë rrugës për në St. George Chapel. Mediat britanike raportojnë se episodi nuk pengoi në asnjë mënyrë planet e familjes mbretërore.
Shkeljet e sigurisë në rezidencat mbretërore janë të rralla në fakt. Një nga më seriozet gjatë viteve të mbretërimit të Mbretëreshës, ndodhi në vitin 1982, kur një i dyshuar u ngjit në një mur për të hyrë në Pallatin Buckingham, shtëpinë e Elizabeth II në Londër dhe u end nëpër dhomat ku mbretëresha po pushonte.
Në vitin 2016, një burrë i cili kishte një dënim të mëparshëm për vrasje, u deklarua fajtor për shkelje: ai u ngjit në një mur rrethues në Pallatin Buckingham për të pyetur nëse Elizabeth II ishte në shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje