Politike

A mund të jesh edhe deputet edhe i shpallur ‘non-grata’? Celibashi: Duhet ndryshuar ligji

A përbën vendimi “non grata” shkak për të humbur mandatin e deputetit? Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi përgjigjet se ligji për dekriminalizimin nuk e ka të specifikuar qartë këtë çështje.

Në një interviste për A2CNN ai propozon ndërhyrje ligjore me qëllim që shmangen interpretimet dhe debatet në zbatim.

“Ndoshta disa përkufizime në lidhje me kushtet e ndalimit. Duhet të ketë qartësi më të madhe në kodin zgjedhor në mënyrë që të mos jenë pjesë e diskutimeve apo interpretimeve, sipas interesit politik apo interesave të tjera”, tha Celibashi.

“Në tërësi ky ligj ka justifikuar qëllimin edhe pse secili prej nesh ka kriticizmin e vet se sa proporcional është ky ligj për të pasur institucione përfaqësuese të pastra në kuptim të përbërjes së tij”, vijoi Celibashi.

Debati për ndërprerjen e mandatit parlamentar të deputetëve të shpallur “non grata” nisi me rastin e Tom Doshit, kur PD i kërkoi zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve moskandidimin e tij në zgjedhjet e prillit të kaluar.

Kjo kërkesë u mbështet edhe nga anëtarja e PD-së në KQZ, Helga Vukaj. Ilirjan Celibashi nuk e cilësoi shkelje ligjore kandidimin e Doshit pasi ligji nuk e kishte të specifikuar një klauzolë të tillë.

Megjithatë, debatin më vonë e mbylli vetë Tom Doshi duke dhënë dorëheqjen një ditë pas zgjedhjeve të 25 Prillit edhe pse partia që ai drejton kishte marrë tre mandate deputeti

E njëjta situatë është krijuar edhe me Sali Berishën, që do të thotë se pa ndërhyrje në ligj, pavarësisht se kush e propozon, ai do të vijojë të jetë deputet edhe pse i shpallur “non grata”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë