Kryeministri Edi Rama thotë se ka udhëzuar Ministrinë e Energjisë që të shikojë mundësitë për të ndihmuar Kosovën me furnizim me energji elektrike, të paktën në ditët festive të ndërrimit të viteve.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga Ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!”, njoftoi Kryeministri.
Sipas Ramës, ndihma do të ofrohet pavarësisht se edhe vetë Shqipëria është në një situatë të vështirë energjitike.
“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, vijon ai.
Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe në shumë zona të vendit ka kufizime të qënësishme me rrymë.
Për situatën e krijuar janë mbajtur edhe protesta nga qytetarët. Disa protestues u mblodhën pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe më pas protestuan edhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Për shkak të krizës, prej 22 dhjetorit në Kosovë, konsumatorët po përballen me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh. Megjithatë, disa qytetarë kanë raportuar se po kanë reduktime më shumë se 2 orë. Po ashtu, protestuesit bënë thirrje edhe për shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ata kundërshtuan edhe shitjen e KEDS-it më 2012, që ishte shitur për 26.3 milionë euro. Sipas protestuesve, shpenzimet e blerjes së këtij distribucioni, kjo kompani i ka fituar për një vit e gjysmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje