Politike

Ultimatumi i 5 janarit, fillon matja e forcave në bazë/ Basha: PD nuk do të jetë pronë private e askujt. Berisha: Demokratët ia prenë biletën Bashës

Sali Berisha në Vlorë ndërsa Lulzim Basha në Dibër. Njëri “i shkarkuar” për njërën palë, ndërsa tjetri në përpjekje për të rimarrë partinë.

Afati është i shkurtër. Data 5 janar. Pas kësaj date gjithçka mund të ndodhë në selinë e PD-së sa kohë që Sali Berisha ka deklaruar se në dorë zyrat e partisë do t’i marrë anëtarësia.

Në anën tjetër, Basha e ka shpërfillur ultimatumin, por jo punën që duhet të bëjë në  bazë.

Të mërkurën ai ka vendosur të dalë nga zyra.

Lulzim Basha ishte këtë të mërkurë në Dibër për të zhvilluar takime me demokratët e këtij qarku. Basha është shoqëruar nga demokratë në hyrje të qytetit ku ishte  vendosur edhe një pankartë “Kryetar Basha, ju mirëpret Dibra juaj

Lulzim Basha ne Diber

Basha mbajti një takim me demokratët e Dibrës ku foli për inceneratorët dhe skandalin e publikimit te pagave, si dhe u fokusua tek debati me Berishën.  

“Miqtë e mi, ju e keni parë prej ditës së parë kam vendosur që mos të bëjë simetrinë e t’i përgjigjesha çdo gënjeshtra ashtu siç meritonte t’i përgjigjej. Por sot dy fjalë do t’i them: Nuk mund të ketë dy të vërteta, ose siç e ka thënë vet Sali Berisha, Edi Ramës i duhen 3 jetë për të bërë atë që kam bërë unë me ndihmën e demokratëve, me demokratët, për demokratët dhe për shqiptarët, ose unë jam tradhtar dhe besëprerë.

 Ajo që i ndan këto dy deklarata nga i njëjti person është 9 shtatori. 9 shtatori është dita kur unë kam vendosur pas muajsh të tërë përpjekjesh, ta ndaj të shkuarën nga e ardhmja. Kam vendosur ta mbaj Partinë Demokratike në krah të SHBA-së dhe SHBA-të në krah të Partisë Demokratike. Kam vendosur pra të mbroj Partinë Demokratike, investimin e demokratëve, të gjithë ju që jeni në këtë sallë , atyre që janë jashtë kësaj salle, dhe të qindra të tjerëve që nuk janë mes nesh sepse janë në emigracion, apo dhe të atyre që nuk jetojnë më por te cilave iu kemi borxh ta mbajmë Partinë Demokratike të fortë, ta mbajmë të madhe, ta mbajmë të bashkuar deh ta bëjmë një orë e më parë drejtuese të fateve të vendit”, tha Basha.

Më tej ai shtoi:  “Përveç atyre që luftojnë për karriget e tyre dhe atyre që janë ende fatkeqësisht të verbuar nga emocionet dhe nuk arrijnë ende të vendosin interesin e përgjithshëm të demokratëve dhe të shqiptarëve, mbi interesat e një personi, të gjithë të tjetër po e kuptojnë, se fitorja që Partia Demokratike dhe Shqipëria meriton, është sot më pranë. Se pengesat që kemi pasur janë më të kapërcyeshme dhe se aleancat tona janë më të forta dhe vizioni i ynë më i qartë për të larguar regjimin dhe për të sjell Partinë Demokratike në pushtet.

Në anën tjetër Berisha organizoi nje takim me demokratet me rastin e 31 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike, Vlore.

Në takimin e zhvilluar në Vlorë, Berisha tha se në vend është rikthyer opozita e vërtetë, teksa shtoi se viti që vjen do jetë edhe më i mirë.

“Në kundërshtim me parashikimet se do të shuheshim, ne jemi në këmbë. Ne e mbyllëm vitin e zi 2021, si një vit shprese. Ne e ngritëm PD-në si opozitë të vërtetë, si forcë politike që i besojnë shqiptarët. Kjo faktohet nga të gjitha studimet që treguan se nga një rënie katastrofave në shtator, sot PD është ngritur mbi nivelin e prillit 2021. Sot PD është bërë shembull për shqiptarët, sepse u tregoi shqiptarëve se ne që sollëm votën e lirë, kemi një vlerë të shenjtë te ajo votë,” tha Berisha.

Më tej ai shtoi se demokratët ia kanë prerë biletën Lulzim Bashës.

“Ne votuam të lirë, ne u mblodhëm në Foltoret tona anekënd Shqipërisë, në një bisedë të hapur dhe të sinqertë. Përkundër presioneve, firmosën për të thirrur Kuvendin tonë. Ata që drejtonin, i kapi një tmerr nga ju sepse ata nuk pranonin forumet dhe anëtarësinë. Mblodhëm Kuvendin e 11 dhjetorit, mrekullinë e vërtetë të pluralizmit shqiptar. Pas këtij kuvendi, ne mahnitëm shqiptarët, por edhe demokratët e konservatorët në botë, me referendumin e 18 dhjetorit, në të cilin ju, më shumë se kurrë ndonjëherë, ushtruat të drejtën e votës dhe i pretë biletën njeriut që do mbetet në historinë politike të vendit me nofkën: Lulzim Brava,” tha Berisha

Një ditë më parë Berisha ishte për të njëjtën arsye edhe në Durrës. Paralelisht Berisha është angazhuar edhe ne dalje të shpeshta publike përmes intervistash televizive.

Berisha ka paralajmeruar nje proteste ne daten 8 janar qe do te nise nga zyrat e selise se Partise Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë