Lulzim Basha e konsideroi 2021-shin vit të mbrapshtë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, ndërsa në konferencën e fundit për shtyp u mundua ta përqëndrojë fjalën e vet në adresë të betejës me Ramën, por pa e shmangur dot plotësisht përplasjen me Berishën.
Basha foli sërish për trekëndëshin e Bermudës dhe se si Partia Demokratike e udhëhequr prej tij ishte alternativa e vetme për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë fund keqqeverisjes 31-vjeçare të vendit.
Konferencën e nisi me çështjen e incineratorëve, për të cilën tha se është afera korruptive simbol e këtyre tre dekadave tranzicion dhe e solli si shembull për të ilustruar keqqeverisjen e Edi Ramës.
“Avokatia e Ramës ndaj incineratorëve ka marrë përmasa groteske. Në kohën që ne e denonconim në SPAK, Rama na denonconte ne. Në këtë aferë, e përfshirë e gjithë trupa qeveritare me në krye Edi Ramën. Mbi 400 mln euro para u mungojnë sot shqiptarëve, sepse i kanë përpirë një grusht njerëzish, politikanë të korruptuar me në krye Kryeministrin dhe të ashtuquajturit biznesmenë, që në fakt janë mafiozë që e kanë jetësuar dhe vënë në zbatim këtë skemë kriminale. Prova tjetër që pas kësaj afere është Edi Rama është fakti që edhe tani që ato ndodhen nën sekuestro, ata vazhdojnë t’i paguajnë”, u shpreh ai.
Sipas Bashës, paratë e incineratorëve janë përdorur për të mbyllur gojën e mediave përmes reklamave.
“Skandali i nxjerrjes së të dhënave personale, konfirmon se më të paguarit ndër ata që janë të zbuluar, janë ata që kanë përfituar nga koncesionet, nuk janë njerëzit që prodhojnë, eksportojnë, apo ofrojnë shërbime”, tha ai.
Basha cilësoi PPp-të, rindërtimin dhe borxhin publik si tre kërcënimet më të mëdha të ekonomisë shqiptare. Borxhi, tha ai ka shkuar në 100 për qind të PBB-së.
Duke komentuar ultimatumin e Berishës, kreu i PD-së u shpreh se asgjë nuk ndodh më 6 janar.
“Garantoj të gjithë demokratët se asgjë nuk do të ndodhë dhe se Partia Demokratike ka të gjitha mjetet për të përballuar çdo gjë”, tha ai.
Basha përsëriti deklaratën se në vazhdim të tjerë politikanë do t’i shtohen listës së personave non grata nga SHBA.
Gjithsesi, Basha përshëndeti hetimin e SPAK për incineratorët dhe nxiti prokurorinë që të thellojë hetimin. “Koka vërtet ka mbiemrin, por ai është vetëm bishti në këtë aferë”, tha Basha.
Kreu i PD-së u shpreh optimist për vitin 2022. “Duket një vit i mbarë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Partia Demokratike ka zgjedhur të ardhmen duke u shkëputur nga hijet e së shkuarës dhe është e gatshme që të udhëheqë ndryshimin”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje