Për sa kohë që Joe Biden dhe Vladimir Putin flasin, kriza ukrainase mbetet e ngrirë, megjithëse në mënyrë të rrezikshme. Dy liderët folën në telefon mbrëmjen e të enjtes vetëm tre javë pas samitit të fundit virtual (ishte 7 dhjetor).
Këtë herë ka qenë presidenti rus që ka marrë iniciativën, duke zënë në befasi bashkëbiseduesin amerikan, i cili është kthyer në Delaëare për festat e fundvitit. Putin menjëherë kërkoi dhe mori “kontakt të drejtpërdrejtë” me “Joe”.
Arsyeja? Kremlini nuk e shpjegoi atë dhe një këshilltar i Biden pranoi, në një konferencë me gazetarët, se ai nuk kishte një përgjigje të saktë, duke shtuar megjithatë se kjo është “një mundësi” për t’i dhënë forcë veprimit diplomatik.
Inteligjenca amerikane raporton se ushtria ruse vazhdon të manovrojë në mënyrë kërcënuese veçanërisht në kufirin lindor të Ukrainës, në zonën e Donbas, e kontrolluar nga milicitë pro-Moskës që nga viti 2014. Gjeneralët në Kiev, kanë frikë se tanket e Putinit, në fillim, mund të sulmojnë Mariupolin, një qytet-port, i vendosur strategjikisht në rrugën për në Krime, i aneksuar me forcë nga Federata Ruse në vitin 2014.
Në thelb, ekzistojnë dy shkolla të mendimit në Uashington. E para beson se Putini dëshiron të hetojë në thellësi qëllimet reale të Bidenit, përpara se të nisë një ofensivë ushtarake kundër Ukrainës, me efekte shkatërruese politiko-diplomatike. A do të dëshironte Putin të kuptonte se sa larg janë të gatshëm të shkojnë amerikanët dhe aleatët e tyre evropianë për të mbrojtur Kievin?
Por hipoteza më e njohur është e dyta: ish-agjenti i KGB-së, synon të verifikojë nëse është e mundur të negociohet në baza të barabarta. Kërkesa e tij kryesore është e njohur: Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO.
Biden tashmë e ka hedhur poshtë atë plotësisht: nuk mund të jetë Moska ajo që vendos për Kievin dhe Aleancën Atlantike. Por rusët e dinë se në këtë pikë evropianët, përtej deklaratave formale, janë të torturuar nga dyshimet.
Në samitin virtual më 7 dhjetor, Biden paralajmëroi homologun e tij: në rast të një pushtimi të Ukrainës, SHBA dhe shtetet kryesore evropiane do të godasin Rusinë me sanksione ekonomike “të papara më parë”.
Megjithatë, u vendos gjithashtu që të viheshin në punë delegacionet e dy superfuqive. A ka pasur ndonjë hap përpara? Është e arsyeshme të konkludohet se Putini nuk është i kënaqur dhe për këtë arsye dëshiron t’i kërkojë Bidenit të shtrëngojë kohën.
Për Moskën, megjithatë, është një përpjekje e konsiderueshme për të mbajtur rreth 175,000 ushtarë në pajisje luftarake përgjatë kufirit me Ukrainën.
Prandaj, ka një ndjenjë emergjence në lëvizjen e Putinit. Gjithashtu, sepse në ditët në vijim, do të ketë më shumë mundësi për kontakte mes Uashingtonit dhe Moskës.
Kalendari përfshin tre ngjarje të rëndësishme në javën e 10 janarit: takimin dypalësh ruso-amerikan për armët bërthamore (“Dialogu Strategjik i Stabilitetit”); Këshilli NATO-Rusi dhe, në fund, takimi i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së (organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje