Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ministrat e Qeverisë këtë të mërkurë për t’u përcaktuar objektivat e këtij viti, ku Gazeta Si mëson se ato do të përqëndrohen te bashkëqeverisja dhe nisma e shpallur prej tij në fund të vitit të kaluar për këshillim kombëtar.
Kërkesat e Ramës për ministrat është që të identifikojnë çështjet që duhet të përfshihen në platformën e këshillimit me qytetarët dhe metodikën që do të përdoret për këtë qëllim.
Por për çfarë do të pyeten shqiptarët? Disa prej tematikave që sipas Ramës do të merret mendimi i qytetarëve u njoftuan në konferencën për shtyp të Kryeministrit pas vendimeve të Qeverisë. Ato përfshijnë fillojnë që nga Ballkani i Hapur, megjithëse në këtë nismë Shqipëria ka nënshkruar disa marrëveshje që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari 2022, te legalizimi i kanabisit, evazioni fiskal, pagat fiktive të punonjësve në sektorin privat, pensionistët, e deri te vaksinimi i detyruar.
Në lidhje me Ballkanin e Hapur, Rama tha se nuk është vonë për të pyetur qytetarët. Ai e pranoi se ka një pjesë të zëshme të shoqërisë kundër pjesëmarrjes në këtë nismë dhe se këshillimi do të ndihmojë nëse kjo pjesë është shumicë apo jo. Megjithatë, Rama nuk e shtjelloi më tej nëse në këtë rast Shqipëria do të tërhiqet, apo jo nga Ballkani i Hapur.
Kryeministri thotë se nisma e këshillimit kombëtar ndërmerret në kuadër të zotimit të qeverisë për të qeverisur në emër të të gjithë qytetarëve. “Duhet të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për të ndarë partitë dhe llogoret nga e ardhmja, se të gjitha këto bëhen në emër të së ardhmes, por vetëm për të ardhmen nuk kanë lidhje beteja për brava, kërcënimet me çelsa dhe shqyerja e dyerve me kriminelë. Këto nuk kanë lidhje me Shqipërinë”, u shpreh ai.
Rama e konsideroi këtë një revolucion që do të ndërmerret çdo vit. Si do të organizohet këshillimi?
“Me një pyetësor të cilin do ua vëmë në dispozicion të gjithë shqiptarëve brenda, apo jashtë vendi, do t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku do të thithim mendimi ne tyre për çështje me rëndësi strategjike për vendin, për ekonominë, për shoqërinë”, shpjegoi Rama.
Theksi i këtij viti do të jetë edhe bashkëqeverisja përmes ligjit të ri të miratuar në fund të vitit të kaluar, edhe pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend nga ana e Presidentit Ilir Meta, që e cilësoi atë antikushtetues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje