Politike

Komisioni i Rithemelimit: Rama – Basha do marrin përgjigje për skenarin destabilizues, të shtunën para PD

Komisioni i Rithemelimit i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit që i kish vënë afat 5 janarin kryetarit të PD-së Lulzim Basha që të lironte zyrat me argumentin se është shkarkuar me referendum, ka reaguar përmes një njoftimi për mediat pasditen e të mërkurës.    

“…Në vend të respektimit të këtij afati, deputeti Lulzim Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale. Ai shfrytëzoi ditët e afatit tolerant, jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si Pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë.

 Ky akt i pashembullt në historinë e një force politike, është përdhosje e selisë së PD, votës së 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar dhe 44 mijë anëtarve të Partisë Demokratike, të gjithë demokratëve që nga themelimi i PD-së, si dhe i të rënëve të kësaj partie në këto 30 vite.

Shndërrimi i selisë së Partisë Demokratike në një bunker privat të një pengu, skllav i aferave të tij, i cili nuk pranon votën e 4446 delegateve të Kuvendit Kombëtar, që nuk njeh votën e 44 mijë anëtarve të Partisë Demokratike dhe që u thotë shqiptarëve se 1958 vetë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, janë 5004 delegatë në anti-kuvendin e tij, është akt i hapur pushtues dhe armiqësor ndaj tyre…”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Më tej deklarata e komisionit të Rithemelimit citon:  

“Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike paralajmëron binomin Rama – Basha se, për skenarin e tyre antidemokratik dhe destabilzues do të marrin si përgjigje të merituar turpin e historisë.

 Ata që thërmuan bunkerin hoxhist në vitet ‘90 dhe e nxorrën Shqipërinë nga izolimi gjysëm shekullor, do të shembin çdo bunker dhe do të rikthejnë Selinë e Partisë Demokratike në Shtëpinë e Lirisë së demokratëve shqiptarë.

 Komisioni fton të gjithë demokratet dhe demokratët e Shqipërisë të bashkohen, në protestën paqësore të datës 8 Janar, para Selisë së Partisë Demokratike, me moton “Jo bunker i Pengut po Shtëpi e Demokratëve”, të firmosin kështu rikthimin e Selisë së PD në Shtëpinë e Lirisë së demokratëve dhe simbolin e shpresës, për mbarë shqiptarët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë