Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo, që aktualisht është i rreshtuar në kahun e Sali Berishës ka bërë një radiografi të gjithë situatës që çoi tek kaosi i shkaktuar të shtunën e 8 janarit në selinë e PD-së.
Pollo e nis problemin që para zgjedhjeve të 25 Prillit me dy vendimet për diegien e mandateve dhe mos futjen në zgjedhjet lokale, për të vijuar më pas me humbjen e PD, shpalljen “non grata” të Berishës dhe zgjedhjen që Basha bëri për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA e deri tek ajo që duhet bërë pas 8 janarit duke prekur shkarazi ngjarjet që ndodhën të shtunën.
“…Ndërkohë po avancojnë hapat për kthimin e selisë së PD dhe përfaqësimit ligjor tek Komisionin e Përkohshëm legjitim.
Rezistenca ndaj kësaj, siç po shohim nga një grup shumë i vogël ish-zyrtarësh partiakë rreth Bashës, është jodemokratike, e paligjshme dhe kundërproduktive.
Megjithatë gjykatat janë shumë të ndikuara nga qeveria socialiste edhe për shkak të procesit të vetingut në vazhdim. Partia në pushtet ka çdo interes të mbajë grupin e dobët Basha si opozitë zyrtare. Kjo shpjegon edhe pse policia ndërhyri dhe e shpëtoi Bashën duke e lejuar atë të mbante selinë e partisë
Çështja kyçe për zhvillimin demokratik në Shqipëri është një opozitë solide dhe konstruktive, duke ushtruar kontroll kundrejt një qeverie në mandatin e tretë me të gjitha sindromat e mundshme të autoritarizmit e korrupsionit.
Basha pa mbështetje në bazën e PD-së dhe vlerat gati zero në sondazhet e opinionit nuk mund ta bëjë këtë.
Mbështetja joparimore e votimit për masat problematike të qeverisë në javët e fundit, nismat e diskutueshme të përbashkëta me qeverinë për ndryshimin e Kushtetutës dhe aludimet për interesa të errëta tregtare e kanë delegjitimuar më tej Bashën”, shkruan Pollo në një artikull.
Sipas tij, Komisioni i Përkohshëm i PD-së përballet me një sfidë madhore për të rindërtuar një opozitë të besueshme.
“Ajo duhet të shihet nga publiku si një alternativë e qëndrueshme pushteti. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit në Shqipërisë post komuniste, kemi një peizazh politik dypartiak rreth partisë Demokratike dhe Socialiste të cilat këmbehen në qeveri dhe opozitë. Një forcë e tretë në ato përmasa nuk duket në horizont.
Ndërsa imazhet e zymta të së shtunës tërhoqën vëmendjen kombëtare dhe pjesërisht atë evropiane, lufta e vërtetë në vend ka të bëjë me frenimin e një regjimi kleptokratik i cili centralizuar pushtetin ( si dhe ekonominë e median) dhe ka ngritur një rrjet lobimi ndërkombëtar të lyer mirë…”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje